Nëse dikur Puka i përkiste vetëm Migjenit, sot ajo më së shumti i përket turizmit. E transformuar nga themelet ajo është shndërruar në një destinacion të mirëfilltë turistik dhe jo vetëm si qytet me shëtitoren, liqenin, ushqimin bio, birrën Puka por edhe shpellat e famshme jo larg saj, majat e maleve dhe shtigjet, hanet dhe jeta rurale, uji dhe ajri i pastër janë arsye që të drejtojnë me kënaqësi drejt verilindjes. 

Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Veriut të Shqipërisë ndërsa klima e saj është e ashpër malore, me dimër të gjatë e të mbushur kryesisht me reshje bore si dhe verë të shkurtër e të freskët. 

Pukën e ndan vetëm 55 km vijë ajrore nga Shkodra dhe 139 km nga Tirana. Nëse do ta bënit dikur këtë rrugë do t’ju merrte pa e tepruar ndoshta një ditë të plotë ndërsa sot ajo përshkohet për vetëm një orë e gjysëm dhe udhëtohet në mënyrë komode duke qenë se ajo është e gjitha e asfaltuar. Rruga për në Pukë është madhështore dhe të magjeps me bukurinë që të ofron pamja alpine mes malesh, me kurorën e pyjeve, rrethuar mes gjelbërimit të pishave dhe kjo është ndoshta ndër të paktat zona në vendin tonë ku dora e njeriut nuk ka bërë dëm.

Zhvillimi i qytetit dhe qasja e tij ndaj turizmit ka bërë që edhe banorë të ndryshëm të zonës të kthejnë sytë drejt këtij sektori. I tillë është rasti i Vullnet Kuçit, djalit të ri nga Puka që së bashku me familjen kanë vendosur që shtëpinë e tyre ta kthejnë në bujtinë për të mirëpritur turistët ndërsa ajo ka një kapacitet prej afro 12 shtretërish ku përmban edhe një minimuze të vogël me disa prej aseteve të zonës të koleksionuara ndër vite. Bujtina e tij, e quajtur “N’Konak” preferohet shumë nga turistët edhe për shkak të vendndodhjes pranë qendrës së qytetit.

Pak metra më larg ndodhet edhe bujtina e Dritan Frrokut, i cili përfaqëson një tjetër rast të shndërrimit të shtëpisë në bujtinë mikpritëse apo odë siç ka vendosur ta quajë ai bujtinën e tij “Oda Kabashi” për ata që vizitojnë qytetin e Pukës, një qytet i vogël por me zemër të madhe siç thotë vetë Dritani.

Falë ndërhyrjes së suksesshme të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili ka realizuar investimin që qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës kanë bërë në lidhje me transformimin e qytetit duke nisur që nga fasadat e rikonstruktuara të ndërtesave, sheshin kryesor dhe liqenin me parkun rekreativ të tij duke bërë që Puka të ketë një numër të lartë vizitorësh në të katër stinët e vitit.

Përfaqësues të bashkisë së Pukës tregojnë se kanë ndërmend të realizojnë investime të tjera që përqëndrohen në sektorin e turizmit dhe që konsistojnë kryesisht në ndërtimin e një moloje në liqen si dhe shënjimin e sa më shumë shtigjeve të reja për ngjitjet alpine duke mos harruar përmirësimin e shërbimeve si dhe të infrastrukturës rrugore.

Puka mund të krenohet padyshim edhe me agroturizmin e saj dhe Hani i Përparim Laçit është një tjetër shembull se si me punë dhe vendosmëri mund të krijohet një atraksion turistik në një zonë të bekuar me bukuri natyrore.

I zoti i hanit, Përparim Laçi më shumë se me bujtinën e tij krenohet me Pukën teksa shprehet se është i vetmi qytet në Shqipëri ku fatmirësisht nuk ka regjistruar asnjë vrasje në 30 vitet e fundit. Leonardi, djali i Përparimit flet me pasion mbi investimin më të fundit që familja e tij ka bërë në qytet dhe që është pista e skive, një tjetër risi që mund të vizitohet në Pukë.

Puka përveç të tjerave ofron edhe histori dhe një ndalesë në shtëpinë muze të Migjenit për t’u njohur nga afër me ambientet e shkollës ku ai jo vetëm jepte mësim por edhe jetonte aty apo me dërrasën e zezë që shërbente si fletore për detyrat e nxënësve dhe që Alban Doçaj, përgjegjësi i muzeut e quan si “tabletin e kohës” e më pas një vizitë në Pallatin e Kulturës ku ndodhet edhe muzeu etnografik i qytetit dhe ku mund të njiheni edhe me pasurinë etnokulturore të kësaj treve apo mund të shikoni violinën e parë shqiptare e cila gjendet në Pukë, e cila për shkak të cilësisë së mirë të drurit njihej gjerësisht për prodhimin e instrumenteve muzikore. Këto vizita janë mëse të nevojshme për të kuptuar më mirë rrënjët historike të kësaj treve.

Puka është e lidhur pashmangshmërisht me Migjenin po aq sa edhe ai me Pukën ndaj monument i tij në qendër të qytetit ku i hedh krahun mbështetës Lulit të vocërr, i rri për shtat sheshit kryesor. Monumenti është vepër e skulptorit Ardian Pepa ndërsa realizimi i tij u bë i mundur falë kontributit të artistit pukjan me banim në SHBA, Fran Gjoka.

Sheshi të merr vëmendjen e tij në çdo kohë por ndërsa në mesditë duket sikur s’pipëtin miza nga qetësia që krijon, çka të bën të mendosh se ndoshta edhe pukjanët ashtu si shkodranët flenë në zheg, aty nga darka xhiroja e mbrëmjes i jep një nur tjetër kësaj hapësire e cila shërben edhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore…

Parku rekreativ i liqenit është i mbuluar i gjithi nga gjelbërimi dhe tashmë i plotësuar edhe me sinjalistikën e tabelave me emërtime shumë origjinale. Në hyrje të tij ndodhet një ekran i madh gjigand që pasqyron bukuritë e zonës ndërsa melodisë së ëmbël të zogjve i bashkohet edhe pamja e këtyre shpendëve si për ta plotësuar “oazin” e qetësisë që çdokush  do të donte ta përjetonte.

Që në kohën e pirustëve banorët e trevës së Pukës kishin traditë ndërtimin e veglave të punës, si kusht për të përmirësuar jetesën ndërsa kjo traditë e qëmotshme vijon edhe sot kur punimet artizanale të Pukës vlerësohen shumë. I tillë është drugdhendësi Vitor Shahinaj ku në punishten e vogël të tij dallon instrumente që nga lahuta e sharkia, violina e çiftelia dhe deri tek orët e punuara dhe ndërtuara me aq mjeshtëri.

Shembullin e krijimit të biznesit familjar e gjejmë edhe tek Mark Gjonaj, i cili prej vitesh e ka shndërruar në “brand” lëngun e thanës “Dalmacia” që mbledh frutat e egra të zonës për të nxjerrë më të mirën e tyre. 

Puka është e famshme edhe për birrën e saj mjaft cilësore, një birrë e prodhuar në mënyrë artizanale me ujin e bjeshkëve të malësisë…

Ne shqiptarët mund të mburremi padiskutim me harmoninë fetare dhe këtë e gjejmë të mishëruar edhe në Pukë ku xhamia dhe kisha gjenden shumë afër njëra-tjetrës ndërsa për këtë vlerë të qytetit flet edhe profesori më i vjetër aktualisht, Xhemal Meçi, i cili mes të tjerash ka shkruar edhe një libër mbi historinë e Pukës…

Paralelisht me zhvillimin e qytetit dhe qasjen e tij ndaj turizmit janë shtuar edhe guidat turistike që operojnë në qytet. Enea Laçi është njëri prej tyre dhe ai mburret me bukuritë që ofron Puka e tij.

Kjo që treguam nuk është e gjitha nga ajo që mund të vizitoni në Pukë por vetëm një pjesë e saj, pasi 24 orë janë të pamundura për të zbuluar sekretet që fsheh ky qytet alpin në zemër të veriut shqiptar por më shumë se çdo gjë, Puka është e gatshme t’i hapë derën dhe zemrën kujtdo që vjen në sofrën e saj bujare…

Autori: Marjo Gjini