Puna si specialist i sigurisë në Burgun e Reçit e solli nga Librazhdi në zonën e Malësisë së Madhe, çka do ta bënte të dashurohej me peisazhin e saj, për ta shkrirë më pas në telajo përmes penelave shumëngjyrëshe e plot jetë.

Kjo është ajo çfarë Gëzim Qoshku prezantoi në ekspozitën e tij “Malësia n’telajo” me punime pikture në mjediset e galerisë “Oda” ndonëse profesioni aktual është krejt larg pasionit të tij, pikturës, për të cilën ka studiuar përpara shumë vitesh në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Në një mjedis të ngrohtë, të pranishmit patën mundësi të njiheshin me disa prej peisazheve të mrekullueshme të Shkodrës, Koplikut, Reçit, Syrit të Sheganit etj. në 28 punimet e kësaj ekspozite, të cilat janë realizuar në harkun kohor të një viti (2021) ndërsa artisti shprehet se natyra e këtyre anëve është vërtet frymëzuese.

Kjo është ekspozita e dytë e këtij viti në mjediset e galerisë “Oda”.