Në përkujtim të albanologut të shquar gjerman Peter Bartl dhe kontributit të tij në këtë fushë, u zhvillua sot në mjediset e Bibliotekës Shkencore të universitetit “Luigj Gurakuqi” një simpozium mbi jetën dhe studimet e tij.
Në fjalimin e saj hapës, rektorja Suzana Golemi bëri një rezyme të jetës dhe kontributit të Peter Bartl.
Me ndikim dhe rëndësi të madhe ishin edhe studimet e tij të thelluara në arkivin e dokumenteve me karakter religjoz ndërsa për këtë aspekt të punës së tij folën Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra dhe Padër Viktor Demaj në emër të Ministrit Provincial Pashko Gojçaj.
Për studimet dhe veprat e Peter Bartl u ndal edhe historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi.
Një moment i veçantë në këtë takim ishte letra përshëndetëse që kishin dërguar nga Gjermania e bashkëshortes dhe birit të albanologut. Gjithashtu në emër të Senatit Akademik të universitetit të Shkodrës rektorja Suzana Golemi i dha titullin “Profesor Nderi” kësaj figure të shquar pas vdekjes.
Studiuesi dhe historiani gjerman Peter Bartl ka bashkëpunuar në vitin 1968 me revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit duke qenë redaktor për pjesën e saj në gjermanisht. Që nga viti 1980 ishte profesor i Historisë së Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Mynihut dhe gjithashtu ishte në krye të Institutit Shqiptar atje. Peter Bartl u nda nga jeta me 22 mars të vitit 2022.
