Ai është kompozitori i mbi 300 veprave në muzikën shqiptare si këngë popullore, muzikë e lehtë dhe për fëmijë, vepra simfonike, muzikë filmash etj. Është fjala për artistin e shquar Pjetër Gaci që në mënyrë rastësore po aq sa edhe të çuditshme 27 marsi, data e lindjes dhe ajo e vdekjes përkojnë në të njëjtën ditë.

Bashkëshortja e kompozitorit, Tamara një ruse e bukur, ende nuk e ka harruar atë takim të parë kur Pjetri ishte student në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës.

Për Tamarën, në çdo pëllëmbë të shtëpisë e në mënyrë të veçantë të dhomës së kompozitorit që ngjan me një muze, ka gjurmët e tij…

Kompozitori Pjetër Gaci ishte autori i koncertit të parë shqiptar për violinë e orkestër, një vlerë e madhe artistike në repertorin instrumental të muzikës shqiptare. Ai i dha një frymë të re edhe muzikës shkodrane ndërsa dy prej miqve të tij Alfred Çapaliku dhe Zef Çoba kujtojnë mirë bashkëpunimet e tyre me të.

Pjetër Gaci shquhej edhe për sensin poetik ndërsa në krijimet e tij dallohej për individualitetin në të cilin ndihej melosi shqiptar dhe ai i malësive të veriut.

Shumë nga vitet e punës së tij krijuese të aktivitetit muzikor, Pjetër Gaci i kaloi në Tiranë e më tej për shumë vite në Shkodër.

Dashuria që ai ndjente për Shkodrën dhe njerëzit e saj ishte aq e madhe sa ajo nuk shprehej dot me fjalë

Për Tamarën, bashkëshorten e tij kompozitori shkodran kishte një amanet…

Një qendër kulturore mban emrin “Pjetër Gaci” por kjo është pak për një qytet si Shkodra që artistët duhet t’i vlerësojë më shumë.

Në historinë e muzikës shqiptare Pjetër Gaci fitoi përjetësinë falë një arsenali krijues me vepra skenike, vepra vokale, instrumentale dhe sidomos këngë, shumë prej të cilave u vlerësuan me çmime dhe u renditën në fondin e artë të muzikës sonë kombëtare ndërsa në kujtesën e njerëzve që e njohën nga afër, është stampuar profili i një artisti të vërtetë, njeriu shpirtçiltër, bujar, human dhe shumë patriot.

Autori: Marjo Gjini