Vlerat dhe rëndësia e edukimit muzikor u bënë fokusi i një takimi që mblodhi bashkë artistë të qytetit në sallën A3 të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me iniciativën e Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova” në bashkëpunim me shoqatën tjetër artistike “Pjetër Gaci” si dhe Departamentin e Arteve të këtij universiteti. Thelbi i kësaj mbrëmje ishte forma e institucionalizuar e projektit që konsiston në përgatitjen e nxënësve në fushën e edukimit muzikor përmes kurseve të rregullta por edhe e kuadrove që përgatisin këta të rinj.
Rëndësia e familjarizimit me muzikën është ajo që synohet përmes formave të edukimit apo promovimit të aksesit në muzikë ndërsa në Shkodër ka shembuj të traditës që duhen ndjekur.
Në panel referuan mbi këtë temë disa prej muzikantëve të qytetit ndërsa ky takim u përshëndet edhe nga rektorja e universitetit Suzana Golemi. I gjithë takimi u shoqërua edhe me aspektin artistik ku fëmijë dhe të rinj të talentuar që ndjekin kurset e muzikës performuan pjesë të ndryshme instrumentale.
