Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër hapi kalendarin vjetor të ekspozitave me koleksionin personal fotografik të “Safet e Gjylzade Dokle”.
I përbërë nga rreth 20 mijë negativë, ky është koleksioni më i madh i dhuruar muzeut të fotografisë pas viteve ’90 ndërsa në të pasqyrohet aktiviteti fotografik i dy bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle nga vitet ’30 deri në fillim të viteve ’70, të cilët hapën edhe të parën studio fotografike në Kukës.
Drejtori Luçjan Bedeni thotë se ky është koleksioni i tretë që i dhurohet muzeut të fotografisë “Marubi” që nga viti 2014.
Aspekte të stilit të jetës, traditave, ritualeve, elementë etnografikë e deri tek pamjet e qytetit të vjetër të Kukësit janë disa nga imazhet e këtij koleksioni fotografik.
Kënaqësi shpirtërore dhe krenari për koleksionin e prindërve ndjejnë edhe dy nga bijtë e tyre.
Ekspozita “Safet e Gjylzade Dokle” do të qëndrojë e hapur deri në datën 1 korrik në mjediset e muzeut “Marubi”.
