Ditën e sotme në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u zhvillua konferenca për mediat lidhur me kalendarin artistik të vitit që do të çelet nesër me ekspozitën personale të fotografëve Safet dhe Gjylzade Dokle, pjesë e koleksionit të dhuruar nga pasardhësi i familjes Ramadan Dokle.
Për drejtuesin Luçjan Bedeni ky është koleksioni i tretë i dhuruar Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” gjatë këtyre viteve dhe bën apel që edhe familje të tjera të dhurojnë koleksionet e tyre personale këtij muzeu.
Kuratori i ekspozitës, Lek Gjeloshi thekson se koleksioni i dhuruar nga familja Dokle ka pasuruar më tej arkivin e muzeut me elementë etnografikë, ritualeve, stilit dhe mënyrës së jetesës në Shqipërinë e asaj kohe.
Ky koleksion, i cili përbëhet nga rreth njëzetmijë negativë, është më i madhi i dhuruar mbas viteve ’90-të në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Aktiviteti fotografik i bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle u zhvillua në Borje të rrethit të Kukësit e më gjërë, duke përshkuar një hark kohor dyzet vjeçar, nga vitet ’30-të deri në fillim të viteve ’70-të.
