Në Sallën e Koncerteve të shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” u zhvillua edicioni i nëntë i festivalit lokal për fëmijë “Akullore Fest” teksa duket se e solli pranverën më shpejt me 14 këngët e reja që solli për këtë vit. Një risi e këtij festivali ka të bëjë me zhvillimin e tij tani e tutje në fillim të vitit dhe jo më në fundin e tij.

Artistët e vegjël tregojnë se këngët e tyre janë të pasura me tematika dhe mesazhe të rëndësishme për moshën e tyre.

Ky festival ka krijuar tashmë traditën e tij prej vitesh ndërsa synimi është që ai të shndërrohet në një furnizues kryesor për Festivalin Mbarëkombëtar të Fëmijëve.

Në mbyllje të konkurimit juria vlerësoi me çmimin e parë këngën “Eja dhe ti në festival” të kënduar nga Shejdina Zogaj me tekst të Lindita Halilit, muzika nga Zaim Merkulaj dhe orkestrimi nga Artion Qamili. Që nga fillimet e tij, festivali “Akullore Fest” i ka dhuruar më shumë se 120 këngë të reja repertorit të muzikës për fëmijë.