Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje dhe i tillë është edhe rasti i poetes Bona Mulaj, e cila rrënjët e saj me letërsinë dhe të shkruarit i ka shumë të hershme dhe ato nisin në vendlindjen e saj Fushë-Arrëz.
E lindur dhe rritur në një vend me bukuri të shumta natyrore, natyrisht që kanë ndikuar në frymëzimin e saj poetik por edhe ndjesitë që burojnë nga çaste të vështira në jetë kanë gjetur vendin e tyre në vargjet e poetes.
Poezitë e saj transmetojnë më shumë se ndjenja, duket sikur përmes vargjesh shndërrohen në “zërin e të pazëve” dhe për Bona Mulaj ka një arsye.
Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30 të zhvilluar në Paris ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike ndërsa në këtë ditë të veçantë për të gjithë poetët, Bona Mulaj e quan veten me fat që po e njeh botën përmes poezisë, për të cilën po përgatit edhe një libër të dytë së shpejti.
