Revista “Gegnia” është një revistë e përkohshme kulturore ndërsa ajo është organ i Bibliotekës së Shkodrës “Marin Barleti”. Revista botohet prej 7 vitesh dhe prej pak ditësh ka dalë nga shtypi numri i 19 i saj, në qendër të së cilës është figura e patriotit dhe poetit Hamid Gjylbegaj. Ai trajtohet në qasje të ndryshme nga kontribuesit e këtij numri Arian Leka, Gëzim Puka, Gjovalin Çuni, Xhahid Bushati dhe Ardian Muhaj.
Revista “Gegnia” ka në fokusin e saj pasqyrimin e zhvillimeve kulturore e artistike jo vetëm të arealit gegëfolës por edhe të kulturës mbarëshqiptare ndaj kjo është edhe arsyeja pse një pjesë e shkrimeve në të janë në gjuhën standarte.
Numri 19 i revistës mbyllet me një kronikë kulturore nga Maxhid Cungu ku pasqyrohen disa prej aktiviteteve më të rëndësishme që pati Biblioteka “Marin Barleti” përgjatë vitit që lamë pas ndërsa që tani ka nisur puna për projektimin e numrit të ardhshëm të kësaj reviste.
