Grupi muzikor “Shkodra Elektronike” i përbërë nga duoja shkodrane Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca njihen për stilizimin e veçantë që u bëjnë këngëve të vjetra shkodrane duke i sjellë në një frymë të re në variantin elektronik të tyre.

Në projektin “Uzina” ato sollën disa prej këngëve shkodrane në variantin remake në të gjitha platformat online ndërsa së fundmi kanë publikuar edhe një këngë tjetër dhe bëhet fjalë për një ndër më të bukurat shkodrane “Vaj si kenka ba dynjaja” teksa në bashkëpunim me “Fanfara Tirana” kanë realizuar një projekt me të vërtetë cilësor.

Sipas prof. Isa Alibalit, në librin “Në Shkodër të gjithë këndojnë”, “Vaj si kenka ba dynjaja” është një këngë e kompozuar nga Ndrekë Vogli. Në këtë liber tregohet edhe historia prekëse e saj. Tregohet se si Ndrekë Vogli u fymëzua nga një letër e një shokut të fëmijërisë në të cilën rrëfeheshin vuajtjet e te qënit ”jabanxhi’’.

Ka kaluar më shumë se një shekull e shqiptarët vazhdojnë të jenë të detyruar të emigrojnë prandaj kënga, për fat të keq, akoma mbetet aktuale.

“Shkodra Elektronike”, në versionin që sjell, i shton edhe një tekst anglisht në të cilin emigranti, ironikisht, fton të tjerët në barkën e tij të bëjnë udhëtimin bashkë: “come in my boat, let’s cross the sea”.

Në këtë version gjejmë edhe grupin e tunxheve “Fanfara Tirana” të integruar në tingullin elektronik karakteristik të grupit “Shkodra Elektronike”.

Së shpejti do të publikojnë edhe një videoklip (të realizuar nga “Kube Studios”) të xhiruar në bregdetin afër Vlorës nga ku niseshin skafistët në vitet ’90.

Grupi “Shkodra Elektronike” pati disa koncerte vitin që lamë pas ku mes të shumtave ishin dy ato që spikatën, njëri koncert në Shkodër në muajin maj dhe tjetri gjatë verës në Novi Sad të Serbisë në “Exit Festival” ku bënë një paraqitje të shkëlqyer.