Teatri “Migjeni” ka kohë që ka nisur përgatitjet për komedinë “Big Brother Vip Shkodra” që këtë vit do të jetë me një kast të gjerë aktorësh ku vërehet ndërthurja mes atyre me përvojë dhe aktorëve të rinj të teatrit.

Ndërsa nisja e provave për këtë shfaqje u komunikua përmes një dalje publike të trupës pjesëmarrëse gjatë muajit të kaluar, së fundmi është zyrtarizuar edhe data e kësaj komedie premierë që do të jetë e para për këtë vit në teatrin “Migjeni”.

Mbrëmja e 17 marsit do të shënojë edhe daljen në skenë të trupës së estradës me shfaqjen e shumëpritur “Big Brother Vip Shkodra” që ndryshe nga viti i kaluar ku regjisor ishte Ismet Drishti, kësaj here regjia dhe skenari i janë besuar një tjetër figure me peshë siç është Arian Çuliqi ndërsa në të do të marrin pjesë edhe Mjeshtrat e Mëdhenj të humorit shqiptar ndër vite si Zyliha Miloti dhe Besnik Çinari por nuk do t’i mungojë skenës as Drande Xhaj.

Kolosëve të humorit shkodran u bashkohen edhe aktorët e tjerë si: Fritz Selmani, Ketlin Pjalmi, Gert Palali, Nikolin Fërketa, Savjana Vjerdha, Aleksandër Prenga, Lusi Bregu dhe Arbër Bala. Pjesë e komedisë me nota spektakli do të jenë edhe këngëtarët Rezarta Smaja, Laorjan Ejlli, Ademir Fresku dhe Glerdit Turmetaj.

17 marsi është vetëm nata e parë pasi kjo komedi që pritet të shkaktojë shumë të qeshura do të shfaqet për spektatorët shkodranë disa netë radhazi dhe referuar interesit të lartë që ajo ka patur vitin e kaluar edhe këtë herë duket se salla do të jetë e mbushur në të gjithë kapacitetin e saj.