Martin Camaj mund të konsiderohet padyshim autori më i shquar postmodernist i letërsisë shqipe, studiues dhe gjuhëtar i njohur që gjithë jetën e kaloi në emigrim. Ai ka drejtuar katedrën e Albanologjisë në Mynih të Gjermanisë.
Martin Camaj lindi më 21.7.1925 në Temal të Mbishkodrës. Në Shkodër ishte nxënës i shkollës së jezuitëve italianë, “Collegium Xaverianum”. Pas shkollimit punoi mësues në fshatrat malorë. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve dhe pas një kohe u detyrua të jetonte në ilegalitet derisa ia arriti të arratisej në Jugosllavinë fqinje.

Prej vitit 1949 deri më 1955 studioi për sllavistikë, romanistikë dhe albanologji në Beograd të Serbisë. Filloi të punonte disertacionin mbi Buzukun. Me ndihmën e ish-mësuesve italianë u shpërngul në vitin 1956 në Romë ku e mbaroi disertacionin në vitin 1960. Prej vitit 1961 punoi pedagog albanologjie në universitetin e Mynihut ndërsa prej vitit 1971 deri në vitin 1990 si titullar i profesurës së albanologjisë të cilën ai e kishte themeluar vetë.

Martin Camaj ka shkruar poezi, prozë dhe punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare në mënyrë të vazhdueshme. Dy vëllimet e para poetike e kanë parë dritën e botimit që në Beograd. Vepra letrare e Martin Camajt përfshin gjithsej nëntë vëllime poetike, tre romane dhe një vëllim me novela. Poezia e Martin Camajt u përkthye në gjuhët italiane, angleze dhe gjermane. Martin Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12.3.1992.
