Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” shënoi premierën e saj edhe në Shkodër pasi ishte shfaqur më herët në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Tematika e saj bazohet në ngjarje të vërteta reale, në kohën e persekutimeve të klerikëve dhe besimtarëve ndërsa erdhi e interpretuar nga aktorët e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të kryeqytetit dhe u ndoq me interes nga publiku në sallën e teatrit “Migjeni”.

Në fund të shfaqjes aktori Bujar Asqeriu në rolin e priftit që vuan torturat shprehet se emocioni që përjetoi në Shkodër ishte i fortë dhe se e shkuara nuk duhet të harrohet asnjëherë.

Pyetjes nëse forca e emocionit do të ishte më e madhe po të interpretohej në dialektin gegë roli i tij, aktori i madh tha se qëllimi ishte që figura e klerikut të ishte sa më gjithëpërfshirëse.

Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” e përshtatur nga Bajram Torba është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako.