Ana Gjini (Shala) ishte njëra prej aktoreve me një kontribut të vyer në jetën artistike të Shkodrës dhe në mënyrë të veçantë të teatrit “Migjeni”. Ajo u lind me 3 prill 1942 në Tiranë.

Jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë, madje as edhe e prindërve të saj ku duhet thënë se babai i Anës, Zef Shala që në moshën 9-vjeçare pasi mbetet jetim së bashku me vëllanë e tij (xhaxhai i Anës), dërgohen në kolegj në Gjermani ku kalojnë edhe vitet e fëmijërisë. Pasi vëllai më i vogël birësohet nga një familje gjermane, Zefi i vetëm do të zhvendosej më vonë në vende të tjera të Europes si Itali, ish-Jugosllavi etj. për më shumë se njëzet vite derisa, në moshën 30-vjeçare vendosi të kthehej në atdhe. 

Zef Shala do të vinte në Shqipëri, ku do të niste punën si shofer, fillimisht në Vlorë ,e pastaj falë edhe zotërimit të gjuhëve të huaja, si shofer në një nga ministritë e Tiranës ku së bashku me bashkëshorten italo-kroate Maria Zorovic, martuar në vitin 1935, do të jetonte i lumtur deri në vitin 1945, kur një mëngjes pasi niset për në punë, nuk bën më kthim në shtëpi. Vetëm pas 40 ditësh do hapej fjala se Zefi kishte pësuar infarkt dhe gjendej në spital, por kur e shoqja e shqetësuar shkon ta takojë, i thonë se është zhvendosur në spitalin e Vlorës dhe Maria në këtë mënyrë nuk do të kishte mundësi ta takonte më të shoqin, deri sa pas 2 vitesh heshtje, në 1947 i çojnë fjalë se kishte vdekur. 

Maria mbetet e vetme, pa punë, pa miq e familjarë, pa ditur një fjalë shqip por shpërvjel mëngët e nis të kërkojë punë për të rritur pesë fëmijët e saj. Në fillim Marien, 40-vjeçare e çojnë të punojë në hekurudhën Tiranë-Durrës si vullnetare dhe tre nga fëmijët e saj i çojnë përkohësisht në Shtëpinë e Fëmijës, pastaj si kuzhinjere në çerdhen e parë “8 Nëntori” që do të hapej në Tiranë. 

Ana së bashku më vëllain e madh do të dërgoheshin në Shkodër ndërsa vëllai tjetër në Elbasan. Ana e vogël, mësimet e para fillore do t’i merrte në Shkodër por shpejt ajo do të kthehej në Tiranë për të vazhduar pjesën e mbetur të arsimit 7-vjeçar të asokohe. Ajo që e vogël do të shfaqte prirjet e saja artistike, e në Pallatin e Pionierëve do të angazhohej me aktivitete të ndryshme si: gjimnastikë, balet, recitime etj.

Pasioni i saj për artin do ta shtynte të ndiqte Liceun Artistik të Tiranës, dhe në vitin 1961 Ana do të konkuronte për në Institutin e Lartë të Arteve, që ishte hapur në vitin 1959, dega e dramës. Ajo do të fitonte, dhe do të bëhej pjesë e një plejade aktorësh të shquar si: Reshat Arbana, Vaçe Zela, Jani Riza, Mark Topallaj, Zhani Ziçishti, Sotiraq Çili, shkodranët Tonin Ujka, Rikard Ljarja, Elez Kadria apo shoqes së saj Donika Franja.

Ana në ato vite do të shquhej si një nga primadonat e kursit të saj, ku do të interpretonte role të shumta që do të vlerësoheshin nga profesorët dhe publiku artdashës.

Ana do të zgjidhej të luante rolin e Zhuljetës, të tragjedisë së famshme “Romeo e Zhuljeta” të W. Shekspir, me të cilën do të mbronte diplomën, ku do të spikaste interpretimi i saj i fuqishëm, duke ndikuar në suksesin e shfaqjes që do të zhvillohej në Tiranë.

Shkrimtari i njohur kryeqytetas Bedri Alimehmeti, në librin e tij “Broduej i Tiranës”, të botuar në vitin 2019 do të shkruante për aktoren simpatike Ana Gjini (Shala). 

Gjatë viteve të Liceut dhe më pas universitetit, Ana do të shquhej edhe për prirjet e saj sportive ku vlen të theksohet se ajo do të ishte njëra ndër basketbollistet e dalluara të skuadrës së 17 Nëntorit (Tirana) e cila në ato vite ishte kampione absolute e Shqipërisë. Duke qenë se e kishte të pamundur të ndiqte paralelisht nga njëra anë stërvitjen e trasfertat me ekipin e basketbollit, si dhe nga ana tjetër mësimet për Mjeshtërinë e Aktorit, pikërisht kur Ana ishte në vitin e fundit të shkollës së lartë, do të detyrohej te hiqte dorë nga basketbolli dhe do të zgjidhte përfundimisht rrugën e artit. 

Pas përfundimit të shkollës në vitin 1965, Anës i bëhen dy oferta nga teatrot e Shkodrës dhe Elbasanit. Teatri “Migjeni” i Shkodrës njihej për madhështinë e tij ndërsa në Elbasan e kërkonte regjizori i njohur shkodran Lec Shllaku, i cili ishte emëruar regjizor i teatrit te ri të atij qyteti. Ajo pa hezitim do të zgjidhte Shkodrën dhe natyrisht teatrin “Migjeni” si një teatër i konsoliduar dhe me peshë të madhe në vend.

Sapo arrin në Shkodër, Ana angazhohet menjëherë në shfaqjet e teatrit “Migjeni” ku regjizori i talentuar Esat Oktrova i beson rolin e Files tek drama “Cuca që koriti malet” e vitit 1966, ndërsa regjizori Serafin Fanko e zgjedh në rolin e Rinës tek “Këshilli i Ndrikullave” e vitit 1969 që njihet edhe si një nga komeditë më të suksesshme në historinë e teatrit “Migjeni”. Në dramën e shkruar nga Fadil Kraja, “Sinjalet e natës” e vitit 1970 Ana do të luante në rolin e Verës ku vlen të përmendim se këtu aktorja paraqitet me mbiemrin e ri Ana Gjini ku deri atëherë ishte njohur si Ana Shala. Ajo ka aktruar edhe në shfaqjet “Toka jonë” e vitit 1970 në rolin e Marës,”Lulet e shegës” e vitit 1977 në rolin e Budës, ”Luani i shtëpisë” e vitit 1978 , “Fundi i një komedie” e vitit 1979 në rolin e Agetinës, “Shtëpia e Bernarda Albës” e vitit 1986 në rolin e Angustias etj.

Ana në vitin 1979 do të luante edhe në filmin “Çeta e vogël” dedikuar 5 Heronjve të Vigut, me regjizor shokun e saj të kursit Mark Topallaj, por që nuk do të transmetohej asnjëherë për publikun shqiptar, duke qenë se nuk do të aprovohej nga instancat e larta për gabime ideologjike. Sot ai film gjendet në YouTube. Sipas të dhënave të arkivit të teatrit “Migjeni”, Ana Gjini (Shala) numëron rreth 47 role të dokumentuara por mendohet që mund të jenë edhe më shumë.

Gjatë kohës që transferohet në Shkodër, Ana do të mësonte rastësisht, të vërtetën e zhdukjes së të atit të saj Zefit, ku ai kishte qenë shofer i Abaz Kupit, kryetar i Lëvizjes së Legalitetit (gjë të cilën e shoqja Maria si e huaj, nuk e kishte ditur kurrë) prandaj edhe diktatura e kishte zhdukur pa lënë gjurmë (me ardhjen e demokracisë familja kishte vajtur në Vlorë, por nuk do të gjendej as varri dhe asnjë dokument i Zef Shalës).

Për t’ju rikthyer vëmendjes sonë artistike duhet thënë se Ana Gjini (Shala) dha një kontribut të madh në teatrin “Migjeni” të Shkodrës duke luajtur role kryesore dhe dytësore, që nga viti 1965 deri më 1993. Përgjatë këtyre viteve Ana do të spikaste për mjeshtërinë e roleve të interpretuara dhe profesionalizmin e saj në skenë, për pozitivitetin që transmetonte tek publiku i gjerë dhe për paraqitjen e saj skenike. Ajo kërkonte gjithmonë që me personazhet e saja të krijonte figura që do të mbeteshin në memorjen e publikut.

Ndryshimet e sistemit dhe ardhja e demokracisë, bëri që edhe Ana si shumica e shqiptarëve të largohej familjarisht nga Shqipëria.

Duhet thënë se Italia në vitin 1991 do të nxirrte një ligj për riatdhesimin e të gjithë familjeve me origjinë italiane në Shqipëri, e kjo do të bënte që Ana nga viti 1993 të zgjidhte Italinë si rrugëtimin e saj të jetës deri më 4 mars 2019 kur ajo ndërroi jetë në qytetin e Parmës.

Ana Gjini (Shala) përmes roleve të saj, do t’i jepte shumëçka teatrit “Migjeni” dhe publikut shkodran, për 28 vite sa ajo pati mundësi të ishte pjesë e skenës, prandaj kontributi i saj në aktrim meriton një respekt të veçantë.

Skeda e aktores Ana Gjini me rolet e interpretuara, bazuar në arkivin e teatrit “Migjeni”

  1. “Familja e Peshkatarit” 12.03.1966 (Mira)
  2. “Si u kalit çeliku” 30.06.1966 (Tonia)
  3. “Cuca që koriti malet” 11.09.1966 (Filja)
  4. “Para Agimit” 19.04.1967 (Zonja Rukije)
  5. “S’ndalet lumi me gardh” 27.05.1967 (Nusja)
  6. “Fisheku në pajë” 29.07.1967 (Lukja) 
  7. “Shqiponjat” 30.12.1967 (Dana)
  8. “Ngjarje në fabrikë” 13.07.1968 (Shpresa)
  9. “Dhëndëri” 18.06.1969 (Lirija) 
  10. “Galeria” 11.09.1969 (Fania)
  11. “Këshilli i ndrikullave” 19.10.1969 
  12. “Sinjalet e natës” 30.04.1970 (Vera) (Këtu Ana paraqitet me mbiemrin e ri Gjini)
  13. “Toka jonë” 11.11.1970 (Mara)
  14. “Viti ’61” 25.11.1971 (Dafina)
  15. “Tovi dhe shokët e tij” 29.01.1972 (Udhëheqësja)
  16. “Ëndërra e tokës” 20.12.1972 (Shpresa)
  17. “Cuca e maleve” 19.05.1973 (2 role: Cucën dhe Filen) Dublante me Tinka Kurtin
  18. “Fëtyra e dytë” 14.11.1973 (Ariana) 
  19. “Shpartallimi” 18.07.1974 (Diella)
  20. “Çifti i lumtur” 14.12.1974 (Kryetare e Komitetit Profesional”
  21. “Nora” 28.04.1975 (Dila)
  22. “Zani Partizani” 13.11.1975
  23. “Vajza nga kantjeri” 15.12.1975 (Xhiri) 
  24. “Lindje në shtërngatë” 10.07.1976 (Laja)
  25. “Rrënjë të hekurta” 28.09.1976 (Vajza)
  26. “Lulet e shegës” 07.05.1977 (Budja)
  27. “Jehona e një dite shkurti” 27.11.1977 (Liza)
  28. “Nora” 27.05.1978 (Plaka e parë)
  29. “Baca i Gjetajve” 11.04.1979
  30. “Fundi i një komedie” 1979 (Agetina)
  31. “Shoku Niqifor” 1980
  32. “Kanga e dhimbës krenare” 1980
  33. “Gjaku i Arbrit” 25.05.1981 (Vajza e shtëpisë)
  34. “Hetimi” korrik 1983 (Roli i dëshmitares)
  35. “Portreti” 06.12.1983 (Infermierja)
  36. “Çështja e Blertës” 1984 (Gruaja e Manit)
  37. “Të gjithë të qeshur” qershor 1984 (Bedrija) 
  38. “Kaçakët” 19.01.1985 (Nënë Sofia)
  39. “Shtëpia e Bernarda Albës” 21.01.1986 ( Angustia) 
  40. “Rozafa” 15.11.1986 (Vestale)
  41. “Gjykimi” dhjetor 1986 (Zina)
  42. “Shtegtim nëpër ankth” 17.01.1989
  43. “Flamur në dasëm” 08.11.1990
  44. “Ndëshkimi” (Neni 55) 1991