Prej pak kohësh në Shkodër ka marrë jetë një ekspozitë krejt e veçantë në llojin e saj. Ajo ka në thelb ekspozimin e veshjeve liturgjike të besimit kristian ndërsa po qëndron e hapur në një nga dhomat e kompleksit muzeal të katedrales “Shën Shtjefni”, ku përveç Muzeut Dioqezan përfshihet edhe Pinakoteka “Lin Delija”.

Studiuesi Luigj Mila thotë se ideja e kësaj ekspozite ishte e imzot Angelo Massafra-s ndërsa ai shton se ky është rasti kur ekzistenca e Muzeut Ateist të shumë kohëve më parë, ka shërbyer për mirë pasi një pjesë e veshjeve që dikur ishin pjesë e tij, sot qëndrojnë në këtë ambient të Pinakotekës.

Këtu qëndrojnë të ekspozuara mbi 30 veshje të klerit katolik që janë përdorur për ceremoni apo shërbesa fetare në harkun kohor të një shekulli ndërsa pjesë e tyre është edhe veshja e Dom Simon Jubanit që celebroi meshën e parë pas rihapjes së objekteve të kultit.

Synimi është që kjo ekspozitë të marrë karakter lëvizës në të ardhmen ndërsa në dhoma të tjera të Pinakotekës qëndrojnë të ekspozuara edhe pikturat dhe skicat e artistit kontemporan Lin Delija duke kompletuar kështu kuadrin e pasurisë artistike të mjediseve të saj.