Biblioteka e qytetit në Shkodër “Marin Barleti” ka vite që e ka nisur proçesin e digjitalizimit të fondit të librave që ka në dispozicion. Të parat që janë përfshirë në këtë proçes kanë qenë antikuaret dhe periodikët e vjetër ndërsa puna ka vijuar edhe me libra të tjerë. Maxhid Cungu, drejtuesi i bibliotekës shprehet se përmes këtij proçesi, aksesi ndaj librit bëhet më i thjeshtë për lexuesin ndërsa një tjetër avantazh që sjell ky proçes ka të bëjë me faktin se nuk lejon dëntimin fizik të librave gjatë përdorimit të tyre.
Pavarësisht realitetit të ri ku libri vjen në formën e tij elektronike, sërish ata që e duan librin fizik nuk mungojnë në këtë bibliotekë.
Proçesi i digjitalizimit ka edhe anën tjetër të medaljes që ka të bëjë me respektimin e të drejtës së autorit të librave dhe kjo paraqet jo pak vështirësi në lidhje me publikimin e tyre online.
Deri tani në bibliotekën “Marin Barleti” janë digjitalizuar mbi 70 mijë faqe ndërsa proçesi vijon pa u ndalur.
