Përfundoi një tjetër edicion i Festivalit Teatror për të Rinj dhe për 6 netë me radhë teatri “Migjeni” u kthye në “shtëpinë” e të rinjve të talentuar të qytetit teksa i dhuruan publikut të pranishëm shfaqje cilësore nga veprat shqiptare por edhe botërore. Përveç gjimnazistëve pjesëmarrës, meritë të padiskutueshme kanë aktorët profesionistë të teatrit “Migjeni” që u vunë në rolin e regjisorëve të dramave dhe komedive, pjesë e festivalit. Nga ana tjetër ky manifestim që ngjiti në skenë mbi 50 të rinj nga 6 shkolla të mesme na tregoi se Shkodra vazhdon të mbetet një fidanishte e talenteve në fushën e artit.
Zgjerimi i hartës gjeografike me gjimnaze jo vetëm nga Shkodra por edhe njësitë administrative rreth saj ishte risi e këtij edicioni.
Në fund por jo për nga rëndësia janë vlerësimet e jurisë së festivalit të përbërë nga Rita Gjeka, Brisela Kadija dhe Ergys Ivziku që shpallën fitues gjimnazin “Jordan Misja” që sollën këtë vit një dramë premierë që trajton dhunën me bazë gjinore nga regjisori Vladimir Doda. Pavarësisht polemikave apo kontestimeve që janë më se normale të shfaqen në një kompeticion duhet thënë se në fund ata që fituan janë të rinjtë e talentuar që iu dha një hapësirë e tillë për të shfaqur aftësitë e tyre në aktrim duke qenë një motivim për rrugëtimin e tyre në jetë.
