Teatri “Migjeni” ka hapur dyert për spektatorët e tij mbrëmë me Festivalin Teatror për të Rinjtë e shkollave të mesme ku të parët që e çelën atë ishin gjimnazistët e talentuar të “28 Nëntorit” i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”.

Shfaqja komedi me titullin “Kati i 15” me regji të aktorit Fritz Selmani dhe nën interpretimin e të rinjve të kësaj shkolle Evis Muriqi, Juled Shkjau, Amelja Krosaj, Aron Uligaj, Ruejda Golemi, Lusida Islami, Enes Balla dhe Orgen Osja zgjati përreth 40 minuta dhe spektatorët e ndoqën me interes.

Rita Gjeka, drejtuesja e teatrit “Migjeni” thotë se ky festival këtë vit vjen me risinë e zgjerimit gjeografik të shkollave pjesëmarrëse dhe gjithashtu e ndihmon teatrin për të pikasur elementë të talentuar.

Regjizori i natës së parë, Fritz Selmani, falenderon kastin e gjimnazistëve që e interpretuan mjaft mirë shfaqjen. Edhe disa nga protagonistët e kësaj nate, ndihen falenderues për mundësinë që u është dhënë dhe shprehen se do ta vazhdojnë rrugën e aktrimit.

Ky është viti i pestë i organizimit të festivalit “Youth Theatre” dhe ai do të zgjasë gjatë të gjithë javës teksa në të garojnë 6 gjimnaze të qytetit dhe njësive administrative ku në fund do të vlerësohen nga juria e festivalit./shkodrazone.com