Karnevalet në Shkodër mendohet të kenë nisur formën e tyre të organizimit nëpër qytet diku rreth vitit 1861 edhe pse ato festoheshin edhe përpara kësaj kohe por jo në trajtën që shikojmë sot pasi deri në atë vit ato kufizoheshin më tepër brenda mjediseve të vogla nëpër oborret e familjeve shkodrane apo të rrugicave të qytetit.
Karnevalet e Shkodrës dallohen në mënyrë të veçantë për humorin e hollë dhe thumbues duke ironizuar të metat dhe problemet e shoqërisë, gjë që i bën ato karakteristike vetëm për këtë qytet. Temat dhe fenomenet që ndër vite ka goditur Karnevali në Shkodër kanë qenë të natyrave të ndryshme që nga përmbytjet e deri tek mënyra e veshjes.

Një ndër kontribuesit më të mëdhenj nëse do të mund ta quajmë kështu të Karnevaleve në Shkodër ishte Kolë Shiroka që në mënyrë të veçantë dallohej për bejtat dhe butaforinë. Aktorët dhe interpretuesit e bejtave janë ndoshta pjesa më e rëndësishme e Karnevaleve. Bejtat e Karnevalit duket se tingëllojnë bukur në gegërishten e Shkodrës dhe aktorët ndihen mirë me këtë detaj.
Karnevalet e Shkodrës ndjekin stilin e atyre veneciane dhe kjo ka lidhje me historinë por nuk janë imitim i tyre pasi kanë origjinalitetin e vet. Madje në këtë qytet ndodhet edhe punishtja artizanale e maskave veneciane. Ato ngjajnë të bukura sido që të jenë, pavarësisht kushteve atmosferike në të cilat zhvillohen por ato duken mbresëlënëse edhe në mot me borë si në këto plane të operatorit Kujtim Draçini të shumë viteve më parë.
Të rinjtë duken se e duan më shumë nga të gjithë këtë festë dhe ato zgjedhin maskat dhe veshjet e tyre të veçanta për këtë ditë.
Karnevalet në Shkodër shoqërohen me një gatim tradicional që nuk humbi as në këtë vit dhe që janë petullat e ku në çdo ndalesë të karvan karnevalit kishte gostisje të pjesëmarrësve me to.


Edhe në këtë vit, pjesë e festës u bë Orkestra Frymore e qytetit që në gërshetim me artistët e Shkodrës dhuruan atmosferë të bukur përgjatë ditës së Karnevaleve.

Megjithatë Karnevalet në Shkodër sot përballen me mungesën e financimit të tyre dhe këtu mund ta gjejmë lidhjen edhe të slloganit të këtij viti “Po lehim si qeni n’hanë”. Përfshirja e të rinjve të talentuar është po ashtu domosdoshmëri për ekzistencën e Karnevaleve në të ardhmen sepse është forca dhe energjia që e shtyjnë përpara atë.

Karnavalet kane simbol dordolecin që përfaqëson në mënyrë simbolike të këqijat dhe veset e shoqërisë për atë vit dhe me diegien e tij shpresohet që ato të mos ndodhin më në vitin pasardhës.
Ajo që u tha në këtë material nuk është çdo gjë mbi Karnevalet e Shkodrës por vetëm një pjesë e vogël e tyre, e megjithatë përbëjnë një arsye të mirë për të kuptuar se përse ato janë një traditë e hershme që vazhdon pa u ndalur sot e kësaj dite./shkodrazone.com
