Frederik Rreshpja nuk ishte vetëm një poeti lirik por ai ishte edhe eseist, publicisti dhe botues gjithashtu. Pena e tij është ndër më përfaqësueset e vargut shqip.

Frederik Rreshpja u lind në Shkodër më 19 korrik 1940 në një familje me origjinë nga Dukagjini. Kreu në vendlindje shkollimin fillor dhe të mesmen pranë gjimnazit “28 Nëntori”. Studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë.

Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”. Më 1975 vepra e tij u hoq nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. U arrestua dhe u dënua “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”.

Frederik Rreshpja vuajti 17 vjet burg. Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përsëri” – 1994, “Lirika të zgjedhura” – 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi” që u botua në vitin 2004, i cili i solli titullin “Poet i vitit 2004”. U përfshi në vëllimin “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsie-t të 2003. Frederik Rreshpja përfaqësohet me disa poezi në “Antologjinë e poezisë shqiptare” të Aleksandër Zotos (1998) dhe në “Antologjinë e poezisë shqipe”.

Frederik Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetëm. Vdiq më 17 shkurt 2006 në Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllezërit dhe familja e gjerë dhe u varros më 18 shkurt, në varrezat katolike “Rrmaj” të Shkodrës.

Disa nga veprat e Rreshpjes janë:

“Rapsodi Shqiptare” poezi, 1968
“Trimi i fshatit Bardhë”, tregime për fëmijë;
“Trofta Hutaqe”, përralla;
“Eranda”, tregim i ilustruar, 1969
“Ëndrra e Gurit” dramë, 1971
“Zëri i Largët i kasolles” roman, 1972
“Në këtë qytet” poezi, 1973
“Erdhi ora të vdes përsëri” poezi, 1993
“Trofta hutaqe” përralla, ribotim i përpunuar, 1994
“Lirika të zgjedhura” poezi, 1996
“Në vetmi” poezi, 2004

Çmimet letrare

▪️Vëllimi më i mirë më poezi, “Lirika të zgjedhura” 1996
▪️Poeti i vitit 2004, për vëllimin me poezi, “Në vetmi”.