Fundjava solli në Shkodër Orkestrën Frymore Prizreni, e përbërë nga muzikantë profesionistë dhe vetmja me një format të tillë në të gjithë Kosovën.

Ajo që binte në sy ishte pjesëmarrja e ulët e publikut në mjediset e kinema “Millennium” në Shkodër por përtej kësaj ato që ishin të pranishëm përjetuan një mbrëmje të bukur muzikore nën ekzekutimin e Orkestrës që nga pjesët shqiptare deri tek ato botërore.

Qendra kulturore “Pjetër Gaci” ishte nismëtare e ardhjes së Orkestrës Frymore Prizreni ndërsa Dritan Mlika, drejtuesi i saj përveç vlerësimit për këtë formacion muzikor tregon se shumë shpejt në Shkodër do të ketë premierën e saj të parë Orkestra Simfonike ndërkohë që përgatitjet vijojnë rregullisht.

Ndërkohë e diela solli në Shkodër Korin Udhëtues nga qyteti i Bordosë në Francë. Ato dhanë një koncert të bukur në bashkëpunim me korin polifonik “Prenkë Jakova” në katedralen “Shën Kolli” të qytetit.

Kori Udhëtues ishte menduar të kishte koncertin e radhës në mjediset e universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ditën e sotme por për shkak të shpalljes Ditë Zie Kombëtare, koncerti është anulluar./shkodrazone.com