Ngjitur me këmbëzat e urës së vjetër të Bunës ngrihet një gur historik që përkujton përurimin e ndërtimit të saj. Ky gur ngjyrë hiri është i përpunuar artistikisht. Mbi një platformë drejtkëndore ngrihet një monolit vertikal, i cili përfundon me majën e tij segment harku.
Anët e tij janë punuar duke i gdhendur me linja vertikale me figura të dala në fillim dhe në majë. Mesi i gurit ka një kornizë të gdhendur në të cilën shkruhet në gjuhën gjermane “kushtuar kompanisë austriake të zbatimit të punimeve”. Pjesa e harkuar ka një kornizë që përfundon në trajtën e volutave. Në timpanin e saj është gdhendur një shqiponjë me dy kokë.
Në vitin 1967 në fushatën ateiste të rregjimit të kohës u mendua se ky gur përbënte një relikte fetare. Si rezultat ky gur u dëmtua në pjesën e shkrimeve të tij dhe u hodh në lumin e Bunës. Pas ardhjes së demokracisë në një moment kur u ul niveli i ujërave, guri doli në sipërfaqe dhe banorët e morën dhe e vendosën në vendin e tij të origjinës pranë urës./shkodrazone.com
