Teatri “Migjeni” do të çel dyert për spektatorët e tij me “Youth Fest” ose përndryshe Festivali Teatror për të Rinj. Pas përfundimit të audicioneve nëpër gjimnazet e Shkodrës kanë nisur përgatitjet me të rinjtë e përzgjedhur dhe shkollat që ato do të përfaqësojnë.
Risia e këtij viti për këtë festival është zgjerimi i hartës edhe me gjimnazet e njësive administrative dhe njëra prej tyre është edhe shkolla e mesme e bashkuar “Adem Haxhija” në Postribë.
Me përgatitjen e tyre po merret aktori shkodran Nikolin Fërketa dhe kjo trupë rinore do të prezantohet me shfaqjen “Pjata prej druri” e Edmund Morris, një dramë familjare e cila ngjan aktuale në shoqërinë tonë.

Aktori Fërketa shprehet se puna me këta të rinj ndihmon më shumë në gjetjen e elementëve premtues për të ardhmen.
Teatri “Migjeni” ka publikuar edhe datat e konkurimit të shkollave teksa me 20 shkurt festivali teatror do të çelet me gjimnazin “28 Nëntori” nën kujdesin e aktorit Fritz Selmani, më pas me datën 21 shkurt do të konkurojnë të rinjtë e gjimnazit “Adem Haxhija” të Postribës nën kujdesin e aktorit Nikolin Fërketa. Me 22 shkurt do të konkurojë shkolla “Prenkë Jakova” me një shfaqje me regji të aktores Raimonda Marku ndërsa një ditë më vonë do të jetë gjimnazi “Jordan Misja” nën kujdesin e aktorit Vladimir Doda e me 24 shkurt “Oso Kuka” nën kujdesin e aktores Merita Smaja dhe ky festival do të mbyllet me shkollën “At Gjon Karma” të Gurit të Zi me 25 shkurt nën kujdesin e aktorit Aleksandër Prenga.
