Kisha e Shën Stefanit ose Xhamia Fatih është një ndërtesë e shenjtë dhe e vetmja ndërtesë mesjetare e mbijetuar në Shkodër. Sipas studimeve arkeologjike të kryera në vitet 1980, ajo ishte një kishë, e ndërtuar rreth vitit 1300 dhe mban emrin e Shën Stefanit. Shndërrimi në xhami ndodhi në vitin 1479 dhe objekti u riemërtua Fatih Sulltan Mehmeti.

Ajo përbëhet nga naosi, mjedisi i altarit dhe hajati në anën jugore. Në vitin 1479 ndërtohet minarja dhe fillon funksionin si xhami. Nga ana arkitekturore, katedralja e Shën Stefanit paraqitet me të gjitha karakteristikat e shkollës së Veriut, që i përkasin arkitekturës romanike-gotike.

Statutet e Shkodrës, hartuar në shek. XIV në një nen të veçantë të tyre thonë se në kishën e Shën Stefanit, nën tingujt e kambanave, mblidheshin çdo fundvit 30 këshilltarët e qytetit, bashkë me gjykatësit për të zgjedhur organet bashkiake. Kisha e “konvertuar” në xhami, i shërbeu për ca kohë si vend falje garnizonit osman të vendosur në kështjellë.