Rreth 12 studentë të Departamentit të Arteve në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” prezantuan përmes një ekspozite të çelur në mjediset e Rektoratit punimet e tyre Tekstil-Dizajn me ndikim nga motivet tradicionale dhe floreale. Pjesë e kësaj ekspozite u bënë rreth 40 punime në pikturë dhe 7 stilizime veshjesh të përshtatura me kohën. Në krye të këtyre punimeve që sollën studentët e ardhshëm artistë qëndron pedagogia e tyrë Erëmirë Jahja, e cila duket se fokusin kryesor të punës e ka përqendruar tek stilizimi i motivit.
E pranishme në ekspozitën e studentëve ishte edhe Rektorja e këtij universiteti Suzana Golemi. Çelja e kësaj ekspozite është një mbështetje për artistët e ardhshëm të Shkodrës shprehet Rektorja ndërsa ndan lajmin e mirë se vitin pasardhës në universitetin “Luigj Gurakuqi” do të hapet një laborator i dedikuar për Tekstil-Dizajn.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy ditë me radhë në hollin e Rektoratit të universitetit “Luigj Gurakuqi”.
