Për të dytin vit me radhë Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për Bonusin e Rijetësimit, një program që i vjen në ndihmë monumenteve dhe pasurive kulturore sa i përket mirëmbajtjes, rimëkëmbjes dhe rijetësimit të tyre. Përfituese mund të jenë ato objekte që bëjnë pjesë në qendrat historike, ansamble dhe lagje brenda mureve të kalasë. Këtë vit Bonusi i Rijetësimit ka një fond 50% më të lartë se vitin e kaluar.
Mbështetja financiare për mirëmbajtje dhe konservim arrin deri në 1 milion lekë të reja ndërsa për restaurim dhe rijetësim deri në 6 milionë lekë të reja. Një vit më parë përfituan nga Bonusi i Rijetësimit 41 aplikantë në të gjithë vendin, prej të cilave 4 nga Shkodra. DRTK Shkodër shprehet se do t’i vijë në ndihmë të gjithë aplikantëve në plotësimin e dosjeve sa i përket Bonusit të Rijetësimit dhe që kryhet online përmes “e-Albania”, afati i të cilës është data 10 mars.
