Në mjediset e Fakultetit Ekonomik të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua lektoriumi “Shqipëria, një histori e mentalitetit juridik” që u shoqërua edhe me librin me të njëjtin titull të autorit të njohur Ndriçim Kulla.
Mes të pranishmëve në panel, për autorin Ndriçim Kulla dhe librin e tij foli edhe dekani i Fakultetit të Drejtësisë të këtij universiteti Gasper Kokaj. Vetë autori ndau me të pranishmit në sallë disa prej detajeve që përmban libri.

Ndriçim Kulla njihet për punën e tij akademike, kërkimore, përgatitëse dhe botuese të gjithë serisë prej 32 vëllimesh voluminoze të veprës së albanologut dhe albanofilit me famë qartësisht ndërkombëtare At Giuseppe (Zef ) Valentinit. Ka redaktuar mjaft libra të suksesshëm me karakter filozofik, historik dhe albanologjik. Ka ideuar dhe drejtuar kolanën e njohur të “Mendimit shqiptar” dhe “Mendimit albanologjik”, të cilin po e vazhdon më tej me shumë vepra të tjera të panjohura nga publiku. Ai është dekoruar edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.
