Kalaja “Rozafa” e Shkodrës është një nga simbolet e këtij qyteti ndërsa është edhe një monument mijëravjeçar i tij. Frekuentimi i saj është gjithëvjetor por në fundjavën që lamë pas përveç kushteve favorizuese atmosferike përkoi edhe me të dielën e fundit të muajit ku hyrja në çdo muze, kala apo park arkeologjik të vendit është falas dhe kjo ishte e para për këtë vit e natyrisht u reflektua edhe tek vizitorët e pranishëm në kala që e mirëpresin një vendim të tillë.

Arsyet për ta vizituar kalanë “Rozafa” janë të shumta por mbi të gjitha ajo që spikat është panorama e mrekullueshme e peisazhit apo edhe e qytetit që i parë nga kjo pikë të duket si në pëllëmbë të dorës ndërsa brenda hapësirës së kalasë ndodhet edhe Muzeu i Kështjellës.

Vitin që lamë pas kalanë “Rozafa” e vizituan 94.260 vizitorë me një rritje prej 43.963 vizitorësh më shumë se në vitin pararendës 2021 referuar shifrave zyrtare ndërsa këtë vit shpresohet për një numër akoma më të lartë.