Grupi i të rinjve të qendrës rinore “Atelie” dhuruan një shfaqje të bukur në qendrën kulturore të fëmijëve “Kujtim Alija” me pjesë të ndryshme muzikore si dhe materiale të tjera advokuese për një kauzë të rëndësishme të shoqërisë si ajo e fëmijëve në situatë rruge duke dhënë kështu një panoramë të përditshmërisë së jetës së tyre përmes materialeve audiovizive ku shfaqeshin edhe figura të njohura të qytetit duke dashur të japin një mesazh për përmirësimin e jetës së tyre.
Koncerti në QKF “Kujtim Alija” u bë në kuadër të programit “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Ëngjëll Gjugja, koordinatori dhe njëkohësisht anëtari i bordit drejtues të “Tirana European Youth Capital” shprehet se aktiviteti është një thirrje për institucionet dhe shoqërinë që të bëjnë më shumë për këta fëmijë.
Pjesë e koncertit u bë edhe “Simpatico Band” me këngëtaren e njohur Orgesa Zaimi. Për këngëtaren Orgesa Zaimi nuk është hera e parë që merr pjesë në kauza të tilla sociale ndërsa shpreson se një ditë fenomene të tilla duhet të marrin fund.
Koncerti vijoi me atmosferë dhe gjallëri për gati një orë duke përfshirë të gjithë të pranishmit në sallë përmes këngëve të njohura dhe me mesazhe të fuqishme.
