Në një kohë që e gjithë vëmendja duket se është fokusuar tek situata me përmbytjet, në Shkodër ka gjithnjë vend për artin e dashurinë për të, njëjtë si në rastin e Fatmirit që ka dalë të sodisë peisazhin pranë shëtitores së molos e të hedhë pamjen e bukur në telajon e tij.

E veçanta e Fatmir Kadillarit është se ai punon si marangoz por duke rrjedhur nga një familje artistësh që në gen ka pikturën edhe ai nuk mund të bënte përjashtim nga ky pasion.

Në preferencën e tij janë peisazhet sepse janë më intime sipas tij dhe jo vetëm ato të Shkodrës por edhe të Vermoshit, Lepushës apo Thethit. Piktura nuk është një pasion pa kosto thotë Fatmiri dhe shkodranët e vlerësojnë pikturën por nuk janë aq të gatshëm për t’i blerë ato.

Ai ka rreth 30 vite që e ka përzemër këtë fushë të artit dhe ka marrë pjesë edhe në ekspozita kolektive ndërsa pikturën e krahason me fëmijën.

Përditshmëria është krejt tjetër për Fatmirin por me siguri të plotë thotë se piktura do të vazhdojë të jetë bashkëudhëtarja e tij në jetë.