Rifillimi i Orkestrës Simfonike të Shkodrës ishte një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore të kësaj jave dhe nisja e punës si një trupë e institucionalizuar pas vitesh ndërprerje u mirëprit nga të gjithë.

Megjithatë një ditë pas riformimit të saj ka patur reagime nga një pjesë e komunitetit të artistëve dhe gazetarëve në lidhje me kohën e ekzistencës së kësaj Orkestre edhe përgjatë viteve 2000.

Prezantuesja e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, Manjola Lloja, ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke evidentuar faktin se Orkestra Simfonike ka ekzistuar edhe përpara vitit 2023 madje ajo kujton se ishte pikërisht i ndjeri Kujtim Alija, ai i cili rimblodhi këtë trupë në vitin 2007 dhe që nga ai vit ka patur prezenca në disa veprimtari të rëndësishme kulturore si “Ndërmendje” etj. deri në vitin 2016.

“Padiskutim kjo nismë institucionalizimi duhet vlerësuar e do të ndikojë në jetën kulturore si dhe do të ndihmojë komunitetin artistik të qytetit për të vijuar traditën dhe rritur cilësinë e performancës. Por ky komunitet, ashtu si i gjithë qyteti, e di mirë se Orkestra në fakt është rikthyer shumë vite më parë nga Kujtim Alija. Mjeshtri i Madh, që ishte i tillë edhe para se t’ia akordonin titujt institucionet, bëri atë që institucionalisht mori shumë më tepër kohë. Për herë të parë, pas viteve të tëra shkëputjeje, Orkestra u mblodh e interpretoi nën drejtimin e Kujtim Alisë në 19 tetor 2007, në përvjetorin e Lumturimit të Nënë Terezës. Pas atij suksesi, Orkestra është mbledhur e ka performuar disa vite me rradhë, duke nisur e kthyer në traditë e sukses “Ndërmendje”, një shfaqje që gjithashtu mbështetet nga Bashkia Shkodër që prej vitit 2008.” – thekson ndër të tjera Manjola Lloja.

Edhe gazetari Besi Bekteshi ka reaguar duke i qëndruar të njëjtës linjë duke cituar faktin se Orkestra Simfonike ka vazhduar të jetë prezente përgjatë këtyre viteve.