Zyrtarisht teatri “Migjeni” akoma nuk i ka çelur dyert për spektatorët shkodranë por puna për aktorët ka nisur që në ditët e para të këtij muaji. Pjesë e gjysmës së parë të vitit pritet të jenë disa aktivitete, mes tyre dhe premiera por organizimi i parë pritet të jetë “Youth Fest” ose përndryshe Festivali Teatror për të Rinj, ku risi për këtë edicion duket se do të jetë zgjerimi i shkollave pjesëmarrëse ku kësaj here vëmendja do të shkojë edhe në shkollat e Njësive Administrative, jashtë qytetit.
Drejtuesja e teatrit, Rita Gjeka, thotë se një festival i tillë i shërben jo vetëm teatrit për të parë drejt elementit të ri por edhe vetë të rinjve që kanë pasion artin.
Edhe për këtë vit, Festivali Teatror për të Rinj “Youth Fest” pritet të shndërrohet në një javë feste në mes gjimnazeve të Shkodrës ku në fund juria do të vendosë për fituesin e tij.
