47 vite më parë, pikërisht më 14 janar 1976 spektatori shkodran do të humbiste aktorin e shumë roleve të spikatura të teatrit “Migjeni” Paulin Lacaj. Ai do të ishte një nga 8 aktorët e parë profesionistë të teatrit “Migjeni” pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e tij. Përgatitjen e rolit skenik e fillonte që nga teksti, tek veshja, mimika e fytyrës që e kishte tepër të zhvilluar. Të gjitha këto bënin që rolet e interpretuara të priteshin mirë nga publiku.
Krahas punës si aktor, Paulin Lacaj do të krijonte të parin arkiv të një teatri në vend e do të kujdesej ta pasuronte atë me materiale, dokumenta, panfleta, të dhëna për çdo shfaqje etj. Gjatë një interviste të pak kohëve më parë, aktori dhe arkivisti i teatrit “Migjeni” Astrit Fani do ta kujtonte kështu kontributin e Paulinit në teatër.
Një detaj interesant nga puna e tij me arkivin që e gjejmë të pasqyruar edhe në librin “Teatri “Migjeni”, kujtesa e një qyteti” të shkrimtarit Xhahid Bushati, ishte se Paulini shkruante me bishtpenë, asnjëherë me stilograf apo me stilolaps dhe këtë e bënte që të ruante jetëgjatësinë e arkivit të teatrit.
Paulin Lacaj do të mbetet një nga shembujt më të mirë të brezave me radhë dhe një nga vlerat e teatrit “Migjeni”.
