Paulin Lacaj lindi në Shkodër më 1914 në një familje të vjetër bujare shkodrane. Në vitin 1921 hyn në kolegjin Saverian SJ, shkollë kjo e njohur jo vetëm në Shkodër por në mbarë vendin, e pse jo edhe në botën e jashtme për traditat e mira të mësimeve të gjuhëve klasike dhe shkencave natyrore por edhe e njohur për aktivitetet teatrale dhe sportive.
Ështe pikërisht kjo shkollë e jezuitëve, ajo që do të nxirrte për herë të parë në skenë Paulinin në moshën 15-vjeçare. Në shkurt të 1929 luhet komedia “Bylbyli” e ky luan rolin e Selimit. Siç lexojmë edhe nga shënimet e tij, të atij viti komedia pati sukses, por veçanërisht u pëlqye nga spektatori loja e aktorit të vogël, Paulinit, në rolin e Selimit.
Pastaj pasuan dramat e tjera “Themistokli”, “Trimi ngallënjyes”, dhe ” Konti i Retinës” më 1932. Por sukses të madh pati sidomos tek drama “Undertari i Mordes” më 1933 ku luan rolin e një vajze. Loja dhe makiazhi ishin aq mjeshtërore sa spektatori e pati të vështirë ta dallonte se kush po e luante këtë rol. Duhet patur parasysh që deri në vitin 1938 akoma në skenë nuk ishin dukur femrat.

Viti 1933 është i pasur me drama, ai merr pjesë edhe në dy drama të tjera “Hams Kazazi” dhe “Mustafa Pasha”, por ndërpritet aktiviteti përkohësisht për shkak të kryerjes së shërbimit ushtarak më 1934.
Menjëhere pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Elbasan, ai punon si sekretar i Zyrës së Përmbarimit pranë Gjykatës së Qarkut të Shkodrës. Pavaresisht nga puna, ai nuk shkëputet asnjëherë nga skena dhe në vitet ’35 deri ’39, ai luan në dramat “Kah rruga e humnerës”, “Fanti i Shpates”, “Mojs Golemi” e “Dredhitë e Patokut” të Fishtës, ku luan së bashku me komikun e njohur shkodran Zef Hila, si dhe në dramat “Dy princa për një vashë”, “Dedë Gjo Luli” etj. Por tashmë këto drama luhen në shoqërinë “Bogdani” e “Rozafat”, shoqëri që grumbullonin rininë shkodrane për të zhvilluar aktivitete të ndryshme artistike.
Është për t’u theksuar se një pjesë e mirë e dramave të luajtura në kolegjin saverian dhe në shoqerinë “Bogdani” e “Rozafat” janë përkthyer apo shkruar nga Prof. Henrrik Lacaj, vëllai i Paulinit.
Në vitin 1939 ai transferohet me punë në gjimnazin e shtetit, sot “28 Nëntori”, si sekretar dhe për 4 vjet rresht shërbeu me devotshmëri pranë këtij institucioni të rëndesishëm për kohën. Ai tani merr pjesë në disa drama ku më kryesorët janë: “Britaniku”, “Ballaban Pasha” dhe “Legjonarët” në rolin e kapitenit e kështu do të mbyllet sipari i skenës përkohësisht jo vetëm për Paulinin por për të gjithë ato që merreshin me art e kulturë.

Çlirimi nga okupacioni nazist e gjeti si të gjithë të tjerët edhe Paulinin pa punë, por me krijimin e Shtëpisë së Kulturës më 1945 ai menjëherë u aktivizua me grupin e teatrit diletant të qytetit, e menjëherë fillojnë të vihet në skenë dramat, por tashmë ato trajtojnë problemet e kohës si: “Baba Falot” më 1945 në rolin e avokatit ,”Tradhëtari” 1946, “Jeta e re”, “Nën gënjeshtrat e Pragës”, “Prefekti”. Duhet theksuar së gjatë periudhës 1946 e deri më 1949 ai punon prapë si sekretar i Zyrës së Përmbarimit pranë Gjykatës së Qarkut Shkodër.
E kur në Shkodër po përgatitej të themelohej Teatri Profesionist, fill pas atij Kombëtar, ai do te thirret ndër të parët për t’u përfshirë në listën e aktorëve. Kështu më 24.11.1949 gazeta “Drita” e regjistroi në kuadrin e aktorëve profesionistë, pasi kalon edhe provimin e testimit emrin e Paulin Lacës. Kudo që punoi u tregua i përpikët, i rregullt dhe i aftë duke gëzuar simpatinë e nderimin e të gjithë kolegëve e spektatorëve që për vite me radhë e duartrokitën. E menjëherë, pas 5-6 muajsh më 1950 vihet në skenë drama “Përmbytja”.

Duke shfletuar dokumentat qe ai i hartoi dhe i ruajti me aq kujdes, vërejmë se janë një seri dramash e tragjedish ku mori pjesë dhe ku dha kontributin e tij Paulini dhe konkretisht tek “Tartufi” në rolin e Valerit, “Shtrëngata”, “Berberi i Seviljes”, “Tirani i Padovës”, në të cilat luan role të dorës së parë.
Janë vitet ’57 – ’58 ku jepet orientimi për të luajtur më shumë drama me karakter kombëtar, fillohet me “7 Shaljanët” në rolin e Pashës, “Kunora e Nurijes” në rolin e hoxhës, “Nora” në rolin e Selim Beut, “Plaku i maleve” në rolin e prefektit, “Këneta” në rolin e Harri Fulz, “Zekthi” në rolin e At’ Kardit “Cuca e maleve” në rolin e Don Markut etj, për të ardhur tek drama e fundit “Ora e historisë” më 1972.
Jane rreth 100 drama të luajtura që kur doli për herë të parë në skenë e deri sa sëmundja nuk e lejoi të vazhdojë më.
Paulini ishte i thjeshtë, gjithnjë kërkues nga vetja, i heshtur e përherë modest, i lënë në hije. Kurrë nuk i dhanë atë që e meritonte madje është interesant edhe një fakt, që pas viteve ’57 – ’58 atij gjithnjë i dhanë role negative. Gjatë karierës së tij interpretoi me profesionalizëm e përkushtim. Nuk e teprojmë po të themi një detaj të vogël nga rolet e tij negative: Luhej drama “Votra e huej” dhe Paulini kishte rolin e nji personi që bënte propagandë properëndimore dhe që donte të arratisej. Pas disa ditësh, rastësisht takon ish-kryetarin e degës së punëve të brendshme të Shkodrës Feqor Shehun, e i thotë: “Paulin të lumtë për rolin, më ke pëlqy se e ndien me të vërtetë, se po të jetë tamam e vërtete do të kisha futur brenda.”

Ai nuk ju nda asnjëherë punës ku krahas saj merret edhe me një punë tjetër që askush nuk e detyroi ta bënte. Që kur filloi punën teatri profesionist e deri sa nuk e lejoi sëmundja, ai mblodhi materiale, dokumenta, panfleta, të dhëna për çdo shfaqje , dhe i sistemoi ato në një arkivë që sot me të drejtë quhet “Arkivi i Paulinit”.
Të gjithë shfaqjet janë të pasqyruara me të gjithë dokumentacionin përkatës biles me foto e deri me inçizime, ku çdonjëri që don të bëjë historikun e teatrit “Migjeni” do ta falenderonte e do të përulej para kësaj pune kolosale e të kujdesshme.

Më 14 Janar 1976 vdiq dhe u varros në Shkodër. Vdekja e ndau jo vetëm nga familja, nipat e mbesat, farefisin, miqte dhe kolegët me të cilët punoi për shumë vite, por edhe nga spektatorët e telespektarorët, që për rreth 30 vjet e panë në skenën e teatrit “Migjeni” të luante sa e sa role.
