Është vetëm 10 vjeçe dhe ndjek mësimet në klasën e katërt të një prej shkollave 9-vjeçare të Shkodrës por Edsel Vela pikturon si një artiste e vërtetë. Ndryshe nga shumica e rasteve ku prindërit janë ata që i imponojnë zgjedhjen fëmijëve në lidhje me pasionet, në rastin e vajzës së talentuar nuk ka qenë tamam kështu pasi ka qenë vetë ajo që ka zgjedhur të mësojë më shumë rreth teknikave të pikturës.

Pikturat e saj kanë ngjyra, kanë jetë edhe pse thotë se pikturon më shumë në bardhë e zi. Grafikat dhe portretet janë më të preferuarat e saj dhe me një të tillë ajo u bë pjesë e konkursit kombëtar të pikturës “Shqipëria ime”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit gjatë muajit nëntor të vitit që lamë pas.

Edhe Neri Curraj, mësuesja e saj e kursit të pikturës vlerëson talentin e Edselit ku për tre vite ka realizuar rreth 70 piktura, njëra më e bukur se tjetra.

Edseli përfaqëson një nga shembujt e mirë të këtij qyteti teksa aktivizohet në shoqëri dhe ndjek pasionin e saj në një kohë kur në ditët e sotme shumë raporte e studime tregojnë se fëmijët po kthehen në dembelë për shkak të varësisë nga teknologjia.