Mbi 100 dashamirës të natyrës, mes tyre bjeshkatarë dhe alpinistë të ardhur edhe nga qytete të tjera veç Shkodrës si Tirana, Elbasani, Kaçaniku, Gjakova e Tetova festuan në fundjavë për nisjen e vitit të ri 2023, festë e organizuar nga klubi i natyrës “Taraboshi” e që i parapriu njëkohësisht edhe edicionit të XII të “Marshimit të Përvitshëm”, të kthyer në traditë.
Muzika dhe festa nga maestro Ilir Zoga dhe këngëtarja shkodrane Bruna Sata shoqëruan gjatë atmosferën e kësaj mbrëmje.
Nuk munguan as vlerësimet me çertifikatë “Mirënjohje” për shkrimtarin Alfred Çapaliku dhe kompozitorin Zef Çoba për ushqyerjen me ndjenjën e atdhedashurisë përmes këngës “Xhamadani vija vija”.
Në këtë festë të bukur u nderuan edhe shumë dashamirës dhe miq të natyrës për kontributin e tyre në mbrojtjen e saj dhe zbulimin e shtigjeve të reja.
E diela i gjeti bjeshkatarët shkodranë dhe ata mysafirë në “Marshimin e Përvitshëm” që ndryshe nga vitet e tjera ku zgjidhej mali i Taraboshit për ngjitje, ky edicion i XII pati si destinacion natyror ecjen nga Rrjolli në Majën e Zezë, një shteg i bukur natyror, i shkurtër dhe panoramik që kalon përmes dunave të mrekullueshme ranore si dhe terrenit shkëmbor me vegjetacion si dëllinja, lisa dhe shërbelë.
