Xhubleta e ngushtë e përmendur në mënyrë empirike nga studiuesit përbën një sfidë më vete për faktin se gjendet shumë pak ose aspak në përdorim, gjë që e bën akoma më të vështirë dëshifrimin e vlerave dhe veçorive të saj. Në të vërtetë kjo është edhe arsyeja kryesore që ka çuar në spostimin e vëmendjes së vëzhguesve bashkohor vetëm tek ato që vishen dhe ekspozohen akoma edhe sot.
Po cilat janë disa nga veçoritë që mbart kjo veshje në lëmin kulturoro-shpirtëror dhe pse duhet të kthehet në vëmendje kjo tipologji xhublete?
Xhubleta e ngushtë e malësive të Dukagjinit vjen në dy o më shumë forma dhe nëntipologji të ndryshme duke u përshkallëzuar edhe në elementët identifikues të huazuar nga kulturat në kontakt, atë të origjinës së vajzës ku kishte lindur me atë të burrit me të cilin do martohej, duke i gërshetuar dhe përshtatur këto tipare në veshjen e saj.
Ky fakt vihet re tek vajzat me origjinë nga Mirdita të cilat për t’u identifikuar por edhe përshtatur me kulturën pritëse kanë ruajtur disa elemente të rëndësishme kulturore tek shtati i xhubletës së tyre me sfond të bardhë, sikurse i xhokës mirditore mbi të cilën kanë qepur dhe shtuar shirita të zinj vertikal dhe shkrola zbukurimi këndore. Mbi këtë xhokë ose shtat të xhubletës kanë shtuar bofçen, jelekun, brezin e në disa raste edhe kapicën. Këto elemente i shohim shpesh tek disa xhubleta nëpër fotot arkivë që qarkullojnë në rrjetet sociale sidomos tek ato të pozuarat në profil.

Po kështu edhe xhubletat periferike të Dukagjinit sikurse ajo që njihet si xhubleta e Pukës në kontakt me kulturat ndërkufitare, tipologjisë së xhubletës së vjetër të Komanit, e zezë mbi të zezë në trajtë këmbane, i kanë shtuar elementet e paranikut dhe prapanikut të mbivendosura te kjo xhubletë në të cilën kanë përfshirë edhe disa ndryshime në formën dhe ngjyrat e shtatit të saj duke i unifikuar një stilim të veçantë nga koka te këmbët në të njëjtën linjë qëndismash, të gërshetuar mes vertikales dhe horizontales. Këtu tek kjo xhubletë si askund tjetër në këtë trevë do të gjejmë elemente dallues që lidhen me shkrolat, ku jo pak nga ato kanë lidhje dhe shpjegime konkrete me të ashtuquajturën terminologji shkencore “Kultura e Komanit”. Ndërsa xhubleta e cila bie në kontakt me xhubletën e Malësisë së Madhe pra në kufirin verior të kësaj treve ka më shumë ngjashmëri me këtë tipologji deri edhe tek përmasat dhe elementet përbërëse të saj.
Një tjetër element që e bën akoma më të veçantë xhubletën e ngushtë është prezenca e jelekut me thekë të dendur e të rënduar mbi supe, i cili i jep gruas nën petkun e saj një lloj potenciali juridik ndërfisnor, gjë që xhubleta e Malësisë së Madhe nuk e ka dhe nuk e pranon këtë element në përbërjen e saj. Ky element kulturor i shtrirë në një habitat të gjërë ndërfisnor të cilin studiuesit sot e ndajnë me rrethe si xhubleta e Pukës, Tropojës apo e Dukagjinit është një përbërës shumë i rëndësishëm për dëshifrimin e lidhjeve të ndërmjetme gjenetike të maleve të Dukagjinit dhe mbart pothuajse të njëjtën peshë sikurse Kanuni në përcaktimin e identitetit të këtyre nënfiseve.

Element tjetër në këtë gërshetim vlerash është edhe grykolja e xhubletës së Dukagjinit e cila në paraqitjen e saj në profil ka një lloj kodi të trukuar nga i cili përcaktohen elementët bartëse të saj. Nëse kjo grykolë i përket një xhublete të ngushtë me sfond të bardhë atëherë në të kemi gërshetim të këtyre dy ngjyrave duke ruajtur stilin vertikal të punimit të saj,
e nëse ajo i përket një xhublete të zezë në formë këmbane mbart një stilim me grykë të rrumbullakët ku edhe qëndismat dhe shkrolat e saj ndjekin të njëjtën linjë.
Po kaq e veçantë është edhe bofçja apo pshtjellaku i xhubletës së ngushtë për nga stilimi me punime të zgjatura vertikale, simetrike të cilat përthyhen bukur mbi shiritat horizontal për të mbajtur statike të hapur fundin e saj në formë trapezi në disa raste të rrethuar me thekë të dendur, të njëjtë sikurse jeleku apo kraholi i saj, elemente këto që bëjnë kontrast dhe e hijeshojnë së tepërmi këtë petk.
Në këtë tipologji xhublete do të veçoja rëndësinë dhe peshën kulturore të brezit të xhubletës së ngushtë si një nga elementët më unik ndër të gjitha tipologjitë e xhubletës por edhe të të gjitha veshjeve tradicionale shqiptare.
Brezi, një rrip i ngrushtë lëkure i veshur me pllaka argjendi në të cilin vareshin katër palë rrathë me nga tre të tillë secila të bashkuar në mes si një gonxhe luleje në të çelur të saj. Tek brezi i kësaj xhublete vihen re disa elemente tejet të rëndësishëm të besimit pagan që lidhen me kultin e diellit dhe të hënës. Tek ky brez pasqyrohet dielli si elemement zbukurimi në pjesën ballore të tij mbi pllakat prej argjendi por edhe mbi trekëndëshat ku bashkohen rrathët që nënkuptojnë muajt hënor stinor.

Siç e shpjeguam tek brezi i xhubletës së ngushtë në mënyrë simetrike kemi të varur vertikal katë palë rrathë të barabartë ku secili ka të kapur në një pikë bashkimi nga tre të tillë me një fytyrë dielli gjë që për bartësit e kësaj veshje merr kuptim dhe shpjegim stinor ku secila stinë ka në harkun e saj kohor tri hënë. Këta rrathë si elemente zbukurimi kanë disa vargje metalike kryesisht të argjenta, të cilët kryqëzohen mbi njëri-tjetrin e që nënkuptojnë pastërtinë e gruas, mbrojtjen e saj nga forcat e errëta të natyrës dhe vazhdimësinë e jetës së gruas në kohë e në hapësirë.
Veçori tjetër e xhubletës së ngushtë është masa dhe pesha e saj më e vogël në krahasim me xhubletën e Malësisë së Madhe e cila i mundëson gruas dukagjinase ta ketë më praktike në përshtatje me terrenin ku ajo jetonte. Në nënveshjet e saj kjo xhubletë vjen akoma më e thjeshtë duke marrë formë edhe më praktike, ku përmban një shtat të lehtë xhublete me material tirku dhe me iva të rrallë spiku, pa postavim e pa shkrola, një bofçe të thjeshtë dhe një krahol që mbulonte shpinën dhe para rrinte i hapur për t’i lehtësuar lëvizjen e krahëve, me një palë çorape të punuara në katër liq dhe shami të lidhur nën qafë.
Kthimi i xhubletë së ngushtë të Dukagjinit në përdorim pasuron jo vetëm kulturën shpirtërore e tradicionale të krahinës por edhe do ringjallte dhe shpëtonte nga asimilimi i plotë kulturor këtë pasuri tejet të rrallë kombëtare, njëkohësisht do të mbushte atë boshllëk kulturor të krijuar në dekadat e fundit nga spostimi i vazhdueshëm apo mosvëmendja e trashëgimtarëve të saj për ta ruajtur dhe kultivuar ndër breza këtë “pasaportë” të identitetit të tyre kulturor.
Shkruar nga Rita Shkurtaj
