Festat e fundvitit sjellin gjithmonë një atmosferë të gëzueshme për të gjithë e hijeshinë ja shtojnë më shumë zbukurimet në qytet dhe atmosfera që qytetarët krijojnë në këto ditë dhjetori.

Këngët shkodrane si gjithmonë nuk mund të mungojnë asnjëherë në festa të tilla dhe artistët shkodranë të Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” sfiduan temperaturat e ulëta natën e mbrëmshme në koncertin “Gurrë dashnije n’Shkodër” teksa kënduan këngët më të bukura shkodrane para publikut që gjendej në sheshin para bashkisë së qytetit.

Pak më herët se koncerti i darkës, një tjetër u zhvillua në kishën “Shën Françesku” në Shkodër, i organizuar nga shoqëria kulturore artistike “Ilirikum” si dhe shkolla e muzikës “Prenkë Jakova” në bashkëpunim me orkestrën e harqeve “Viola Bajraktari”, koncert i titulluar “Nina Nana”, një natë kushtuar Krishtlindjes me poezi dhe këngë ku fëmijët e Shkodrës sollën energjinë e bukur të kësaj feste me rëndësi për mbarë botën.

Organizime të tilla do të vijojnë edhe për ditët e netët në vazhdim të dhjetorit, për ta zbukuruar më shumë atmosferën e festave në qytetin e Shkodrës.