Spektakli i kthyer në traditë prej vitesh “Best 10 North” mbylli edicionin e tij të 11-të me ndarjen e çmimeve të vitit në teatrin “Migjeni”.
“Best 10 North” vlerësoi këtë vit 11 personalitete të spikatura si më të mirët e vitit teksa çmimin “Shkrimtari më i Mirë i Vitit” e mori poeti David Boseta, “Piktori më i Mirë i Vitit” u vlerësua Sokol Kola, “Arsimtari i Vitit” u shpall Lejla Meti, me çmimin “Trajneri i Vitit” u nderua Edmond Doçi ndërsa “Sportisti i Vitit” Megi Doçi. “Këngëtari i Vitit” u shpall Klinsman Llazani. Në këtë edicion të 11-të të organizimit u dha një “Çmim Special” për Farida Ramadanin si dhe dy çmime “Mirënjohje” për Arben Mllojën dhe Asim Belinovën ndërsa me “Çmimin e Karrierës” u nderuan aktorët Rajmonda Marku dhe Edmond Halili.
Në përfundim të kësaj nate që dhuroi kënaqësi, argëtim por edhe emocione organizatorët e këtij evenimenti falenderojnë publikun për ngrohtësinë që u dhuroi.
Edhe Rajmonda Marku, një jetë në skenë si aktore, shpreh mirënjohjen e saj për vlerësimin me Çmimin e Karrierës.
Spektakli “Best 10 North” përveç ceremonisë së dhënjes së çmimeve kishte të gërshetuar bukur edhe zërin e disa prej këngëtarëve më të mirë të qytetit si dhe humorin e mjeshtrit Edmond Halili. Ky organizim nga agjensia e spektakleve “Buna 1” me producent Arben Mazin do të vijë i plotë në ditët në vijim si ekskluzivitet i RTSH Shkodra.
