16 Ditët e fushatës së aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore janë përmbyllur në teatrin “Migjeni” me aktivitetin “Nji za për 20 vjet” teksa kjo ditë përkonte edhe me 20 vjetorin e krijimit të organizatës “Gruaja te Gruaja”, promotore e kësaj fushate.

Me këtë rast, në katin e parë të teatrit u organizua një ceremoni festive me të gjithë kontribuesit aktuale dhe të atyre ndër vite të organizatës ndërsa në hollin e teatrit në katin e dytë u pasqyruan në formën e një turi disa prej fushatave ndër vite për promovimin dhe avancimin e të drejtave dhe fuqizimit të grave.

Si presidente e saj, Trëndelina Boriçi tregon se sfidat që nga dita e parë nuk kanë qenë të lehta, diktuar edhe nga mendësia e shoqërisë që ka, sa i përket fenomenit të dhunës.

Pjesë e të ftuarve ishte edhe Prefektja e Qarkut Majlinda Angoni, edhe si një ish-themeluese e organizatës, me kontribut të madh ndër vite.

Prej 20 vitesh fushatat për promovimin e të drejtave të grave janë shtrirë në Shkodër, Malësi të Madhe, Pukë, Vaun e Dejës dhe së fundmi edhe në Fushë Arrëz.