Disa ditë më parë, portreti i një gruaje me veshje popullore, e shkrirë artistikisht në telajo përmes ngjyrave, do të tërhiqte vëmendjen e shumëkujt prej nesh dhe ajo pikturë do të bëhej shpejt virale në të gjitha rrjetet sociale. Me punimin dedikuar gjyshes së tij Terezës, Mario Zefi, djali nga Rranxa e Bushatit, nxënës në klasën e nëntë në shkollën “Mark Çuni” do të vlerësohej me çmimin e dytë në konkursin kombëtar “Shqipëria ime”. Mario thotë se ajo pikturë ishte një dhuratë për 85-vjetorin e lindjes së gjyshes së tij.

Dëshira e Marios për pikturën është e madhe ku përpos talentit që i vogël, ai prej katër vitesh ndjek rregullisht kursin e pikturës çdo javë duke përshkuar 17 km rrugë nga Rranxa e Bushatit për në Shkodër ndërsa ndjehet falenderues ndaj mësueses së tij të pikturës për të gjithë punimet e realizuara aq bukur deri më tani.

Për talentin e Marios, flet me krenari edhe Erëmirë Jahja, pedagoge në Departamentin e Arteve në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e njëkohësisht mësuesja e tij e pikturës.

Pak ditë më parë për Marion do të shkruante edhe kryeministri Rama si dhe do ta priste në zyrën e saj ministrja e arsimit dhe sportit Evis Kushi.

Në bisedë me Marion e kupton lehtësisht se pavarësisht asaj që do të rezervojë e ardhmja në jetë, një pjesë e vëmendjes do të jetë gjithnjë për pikturën, aty ku flet me “zërin” e shpirtit përmes talentit të tij.