Teatri “Migjeni” hapi dyert për spektatorët për të mirëpritur festivalin tradicional me gjithëpërfshirje nga trevat e veriut “Treva 2023”, ku pjesë e tij u bënë disa nga artistët më të mirë të trevës së Dukagjinit.
Këngët tradicionale dhe burimore erdhën të kënduara përmes zërave të rinj dhe atyre me përvojë por publiku pati mundësi të shijonte një spektakël ku nuk munguan as batutat dhe të qeshurat prej artistëve humoristë, të ftuar si pjesë e këtij festivali të kthyer në traditë prej 19 vitesh.
Nuk munguan as në këtë edicion, artistët që prej vitesh jetojnë jashtë vendit të tyre por që u bashkuan këtij festivali tradicional të organizuar nga Shoqëria Kulturore Artistike “Treva”. Grupi i valltarëve dhe këngëtarët Zef Beka dhe Elvira Fierza ndezën edhe më shumë atmosferën në sallën e teatrit.
Festivali burimor “Treva” zhvillohet çdo vit në prag të festave të dhjetorit ndërsa qëllimi i tij është ruajtja e traditës së këngëve dhe valleve tradicionale të trevës së Dukagjinit.
