Në qytetin e Shkodrës ekziston një traditë e hershme për festimin e festës së Shënkollit, ose festa e Shën Nikollës. Gjeli tradicional është ushqimi kryesor që ofrohet për këtë natë në familjet shkodrane.

Kjo festë ka edhe veçorinë e saj pasi edhe pse është festë e krishterë katolike festohet edhe nga disa familje muslimane të Shkodrës.

Tradita e kërkon që të bëhet kurban diçka në shenjë nderimi për Shën Kollin. Kjo është një festë ku familja bashkohet rreth tryezës e cila është e mbushur plot dhe ku kryesorja është gjeli dhe pogaçja.

Shën Kolli ka jetuar në shekullin e III-IV ku atij i atribuohen shume mrekullira dhe është mbrojtësi i fëmijëve, i udhëtarëve, i marinarëve, i të burgosurve, i të shtypurve etj. dhe siç duket kjo është edhe arsyeja se pse kjo festë në Shkodër festohet gjerësisht dhe jo vetëm nga besimtarët e krishterë.

Sonte festojnë edhe Emrin të gjithë ata që lidhen me këtë emër si Nikolin, Niki, Nikollë, Koli, Kolindo, Nikolas, Nikoleta, etj.

Gëzuar e me zemër të bardhë, me mbarësi e lumturi festën e bukur të Shënkollit në familjet tuaja.