Galeria e Arteve në Shkodër mbylli kalendarin e saj vjetor të veprimtarive artistike me ekspozitën mbarëkombëtare “Salloni i Vjeshtës” me pjesëmarrjen e shumë artistëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi por edhe Italia. Ky ishte edicioni i XVI i aktivitetit që tashmë është kthyer në traditë ndërsa pjesë e ekspozitës ishin edhe punime të artistëve që nuk jetojnë më si Bujar Zajmi, Moikom Zeqo, Nikolet Vasia etj.
Pjesë e ekspozitës u bënë punime artistike jo vetëm në pikturë por edhe në skulpturë dhe instalacion ndërsa tema e këtij edicioni ishte “E Kuqja”, si simbol i përsosmërisë së poleve të kundërta midis bashkimit dhe shpërbërjes, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, mirësisë dhe djallëzisë por edhe të kuqes së vargjeve të Migjenit etj. Kuratorët e kësaj ekspozite ishin Oltsen Gripshi dhe Naim Spahiu.

Në fjalën e tij hapëse, drejtuesi i Galerisë së Arteve të Shkodrës Fatmir Juka thotë se përmes “Sallonit të Vjeshtës” Shkodra fiton të drejtën e saj për të qenë “zemra” që pulson me artin që prezantohet para publikut ndërsa ekspozitën e përshëndetën edhe kuratori Oltsen Gripshi dhe anëtari i jurisë Ylli Drishti.

Juria vlerësoi me çmimin e “Veprës më të Mirë” piktorin Artan Draçini me punimin artistik pa titull por i bazuar në një fragment nga romani “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” të shkrimtarit izraelit Amos Oz. Me çmimin “Artisti më i Mirë” u vlerësua piktori nga Kosova Qamil Xhylani me pikturën “Dua të pikturoj buzëqeshjen” e realizuar përmes teknikës vaj në pëlhurë.

Ekspozita “Salloni i Vjeshtës” është e vetmja në vend me karakter mbarëkombëtar ndërsa ajo ishte planifikuar të zhvillohej në datën 22 nëntor por situata me përmbytjet në qarkun e Shkodrës ndikoi duke e shtyrë zhvillimin e tij për disa ditë më vonë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 janar të vitit të ri 2023.
