Shkruar nga Profesor Gjon Frani Ivezaj
Në viset e veriut, atje ku Kullat e gurit merrnin dhe japnin jetë mes malesh mbizotëronte mençuria dhe trimëria të cilat i jepnin identitetin Kullës, Malit, Krahinës dhe këngës në të cilën lartësohej njeriu i veshur me virtytet më të larta fisnore për të merituar dhe lartësuar emrin “Malësor”.
Andej nga vij unë, në viset e Grudës Kreshnike, kullat e vjetra të gurit ishin të shpërndara ndër bregoret rrënxë kodrave, shumica prej të cilave me pamje nga dielli, të mbushura me dritë e me frymë jete si për të dëshmuar atë ndërlidhjen e përhershme që malsorët kishin me nënën natyrë.
Megjithatë për të mbijetuar në këto kreshta të ashpra ku dimri dhe armiku “flinin mbas dere” siç thonin të vjetrit, kullat vigjëlonin gjatë gjithë kohës për të mbrojtur veten dhe bijtë e saj. Ndaj, në ballë të votrës dhe oxhakut qëndronte gjithmonë e varur një HUTË, e përkrah saj një LAVDË e moçme e cila kalonte dorë më dorë në netët e gjata që tingujt e saj të mbanin gjallë frymën e shpresës e të qëndresës së bijve të asaj kulle.
Në kuvendet e atëhershme Lavda dhe Huta shpesh emnoheshin “rojset e oxhakut”, njëra për t’ja mbrojtur nderin e kullës dhe tjetra për ta dëshmuar e lartësuar në këngë nderin e bijve të saj. Ky dualitet vlerash simotra, pa një të dhënë egzakte për hershmërinë dhe zanafillën e saj por me një version të qartë të trashëgimisë gojore erdhën dhe u unifikuan në një të vetme, duke ba që në rrjellën e shekujve, LAVDA dhe HUTA ta lanë dhe mishërojnë emrin tek LAHUTA”.
Kjo hipotezë shkencore e rrallë në lloin e saj do na mjaftonte për të patur një peshë përgjegjsie më të madhe jo vetëm institucionale por edhe individuale, pasi njeriu i shekullit të ri gjithnjë e më pak po ruan këto lidhje të gjalla të idenditetit fisnor dhe rracor nga e ka prejardhjen. Sot numërohen me gishtat e dorës lahutarët jo vetëm në Grudë por në krejt trojet etnike gjë që e bën akoma më të zhvlersuar këtë trashëgimi të gjallë kulturore me vlera të jashtëzakonshme për identitetin tonë kombëtar.

Ajo që më nxiti së tepërmi të shkruaj dhe të ceki këtë temë kaq delikate por me vlera të larta kulturore e shpirtërore, janë disa aktivitete që u bënë kohët e fundit në Shqipëri dhe Kosovë ku spikati “Takim me lahutarët shqipfolës” në Malësi të Madhe. 10 Lahutarë, shumë prej të cilëve pleq të moshës së katërt, ndër ta edhe një grua me xhubletë.
Me keqardhje e them se sot kemi kaluar në regres të rëndë kulturor dhe kemi rënë në amatorizëm të shfrenuar, ku ajo që vërehet më së shumti dhe që e bën akoma më të rrezikuar egzistencën e Lahutës në të ardhmen veç mungesës së kritikëve, është pa dija mbi identitetin e lahutarit, i gjinisë mashkullore ose në raste tejet të rralla i burrneshës me çakçir e cila mbart imunitetin e një burri në kuvënde dhe jo të një gruaje me xhubletë e cila rreshtohet me lahutarë të mirfilltë në të tilla skena.
Duhet kuptuar se Lahutari ka gëzuar gjithnjë vënd nderi në sofra e kuvënde. Atij i lihej vëndi në ballë të oxhakut pasi veç këngës dhe interpretimit lahutari kishte edhe një tjetër mision. I gjindur në brendësi të kuvendit ai duhej të merrte edhe fabulën e këngës, të mësonte me imtësi ngjarjen, të dëgjonte mbi qëndresën dhe detajet të cilat do t’i kthente në vargje dhe do t’i thurte për këngë lavde, kryesisht epike.
Lahutarët njihen edhe shkencërisht si përçuesit e historisë të cilët edhe pse nuk dinin shkrim e këndim ata kishin një tjetër betim mbi lahutë, për të dëshmuar me vërtetësi realitetin në kohë e në hapsirë, ndaj edhe ky instrument ishte i përcaktuar vetëm për burrat. Lahutarët e trashëgonin këtë profesion në familje dhe e perfeksiononin në dasma, në kuvende e në logje ku bëhej edhe interpretimi i lahutarëve më me za.
Instrumentin e punonte vetë lahutari, pasi e kishin përvetsuar teknikën e punës nga baba apo një tjetër pjestar i familjes. Të rinjt për ta mësuar këndonin në duet me lahutarët e vjetër të kullës derisa u piqej zani dhe fitonin disa tipare burrnie. Mbasi lihej kënga lavda gjihmonë duhej të varej në të majtë të oxhakut për tu tha, pasi materjali shtazor me të cilin punohej, për të prodhuar tingull të mirë duhej të ishte “arrë e thatë” thonin të vjetrit.
Ky ritual bëhej gjithmonë me një fanatizëm të skalitur tek secili antar i kullës ndaj edhe lavda ishte e paprekshme njësoj si huta. Lavda e gdhëndur me simbolin e përkrenares apo ato të kultit, së bashku me rasën e saj, virrej në ballë të oxhakut, në krah të Hutës e cila qëndronte e heshtur dhe hijerëndë.
Të dy këto rojse të oxhakut, përkëdheleshin herë nga rrezet e diellit që hynin nga dritoret e vogla të kullës e herë nga tymi i kandilit të oxhakut dhe çibukut të plakut rrëzë tij. E kështu jeta vazhdonte udhën e saj nëpër shtigjet e mot moteve, e kulla qëndronte e mbijetonte duke pritur e përcjellë brezat në përjetsi e nuk reshte kurrë së dëshmuari, se
Lavda dhe Huta mbeten krenaria e KULLËS së Malsorit.
New York, Nëntor 2022
