Xhubleta shqiptare, e lashtë sa edhe vetë jeta në këto troje, mbi katër mijë e 500 vjeçare tashmë zyrtarisht është regjistruar në UNESCO. Lajmin e shkëlqyer e ndau përmes rrjeteve sociale Ministrja e Kulturës Elva Margariti, teksa e quajti si një dhuratë në këtë 110-vjetor të shpalljes së pavarësisë së vendit.

Por siç thekson ministrja e kulturës Margariti, për të ardhur deri këtu janë dashur vite përkushtimi për ta plotësuar deri në detajin më të vogël dosjen e xhubletës për në UNESCO.

Lajmin për pranimin e xhubletës shqiptare në UNESCO e përshëndeti edhe ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim.

Xhubleta përfaqëson një nga veshjet më unike në llojin e saj dhe prej shumë kohësh ajo ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, shqiptarë e të huaj, të cilët janë përpjekur të paraqesin vlerat që kjo veshje mbart në rrafshin kulturoro-shpirtëror dhe kombëtar.

Ditën e sotme edhe kryeministri Rama përshëndeti në rrjetet sociale pranimin e xhubletës shqiptare në UNESCO.