Kremtimet për festën e pavarësisë u përmbyllën me koncertin festiv të zhvilluar në teatrin “Migjeni”, i kthyer në traditë prej vitesh.
Koncerti nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar nga Orkestra Frymore e Bashkisë së Shkodrës, nën interpretimin e korit polifonik “Prenkë Jakova” nën dirigjimin e drejtuesit Gjon Shllaku.
Më pas do të ishte një gërshëtim i këngëve më të bukura lirike dhe baritore nën interpretimin e artistëve të njohur si Laorjan Ejlli, Klodiana Brahimi si dhe baritonit Armando Likaj që do të pushtonin sallën e teatrit “Migjeni” me interpretimet vokale të tyre si “Ushton Gryka e Kaçanikut”, “Baresha”, “Hej ju male” etj.
Shkodra në historinë e saj ka patur disa banda muzikore dhe si një vazhduese e kësaj tradite është edhe Orkestra Frymore e Bashkisë, e cila në këtë koncert luajti disa prej pjesëve më të rëndësishme të kryeveprave muzikore.
Disa prej artistëve shprehen për ndjesinë e bukur që morën nga ky koncert pas përfundimit të tij.
Ndërsa koncerti festiv do të mbyllej me “Marshin e Fitores”, e kompozitorit Prenkë Jakova, spektatorët e pranishëm patën mundësi ta shijonin për 60 minuta këtë koncert ku hyrja ishte e lirë për ta.
