Do të ishte një ditë e ftohtë nëntori kur në lagjen Gjuhadol do të vinte në jetë gëzimi i parë i familjes Selimi dhe ai do të ishte Paulini. Shkrimtari i shquar i humorit të hollë dhe elegant do t’i jepte aq shumë Shkodrës dhe estradës së saj si autori i disa prej skeçeve më të njohura.
Në hollin e teatrit “Migjeni” familjarë, miq e dashamirës u mblodhën për ta kujtuar me batutat e tij të gjalla e plotë jetë, por siç do të shpreheshin edhe ata vetë nuk do të mjaftonin shumë netë dimri për të gjitha këto kujtime.

Përveç bashkëshortes, pjesë e panelit ishin edhe Zija Vukaj, Jani Malo, Agim Doçi si miq të afërt të shkrimtarit të humorit ku secili prej tyre do të rrëfente kujtimet me të, e ku një pjesë të kujtimeve janë botuar edhe në librin dedikuar shkrimtarit të humorit Paulin Selimi “Ars Longa Vita Brevis” e përkthyer në shqip “Arti është i gjatë, jeta e shkurtër” nga bashkëshortja e tij Donika Selimi si dhe nga Jani Malo.

Paulin Selimi nuk i përkiste vetëm humorit por edhe kontributit në arsim për shumë vite me radhe duke nxjerrë breza të tërë arsimtarësh si profesor i Letërsisë dhe kështu do ta kujtonte artistin, ish-nxënësja e tij Nermin Spahiu.

Pavarësisht kontributit të madh në estradën e Shkodrës, institucionet duket se e kanë harruar një emër si Paulin Selimi.

Paulin Selimi ka 9 vite që është ndarë nga jeta por skeçet me batutat e famshme të shkruara nga ai janë bërë pjesë e çdonjërit që është rritur me to si ajo e “Kunatit të shokut Xhemal” e shumë të tjera.
