Edhe fundjava që lamë pas shënoi disa aktivitete kulturore gërshetuar me karakterin historik duke qenë se përkojnë me kremtimet për festën e pavarësisë.

Muzeu Historik i Shkodrës përmbylli kalendarin e aktiviteteve me një figurë shumëdimensionale si ajo e Kolë Idromenos, arkitektit të Shkodrës por edhe piktorit e fotografit të spikatur. Një projekt që zë fill rreth 3 vite më parë dhe që u konkretizua me një ekspozitë të fotografive të shprepura nga Idromeno, të publikuara për herë të parë pas një pune të vështirë kërkimore ndërsa për ta plotësuar është edhe tabloja “Dy rrugët” pjesë e ekspozitës.

Pak para nisjes së ekspozitës, studiuesja e njohur e artit Eleni Laperi sjell fakte që deri tani qëndronin të fshehura për jetën e shkodranit të shquar në librin e saj më të ri “Kolë Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar”.

Pak metra më larg, në galerinë “Oda” artistja nga Prishtina Vjosa Bujari Maliqi çeli ekspozitën me punime pikture “Lëvizje në infinit”. Ajo që spikat më shumë në punimet e saj është detaji i gurëve dhe ngjyrës blu.

Aktivitetet e fundjavës duket se i rikthyen normalitetin Shkodrës pas situatës problematike që përjetoi me përmbytjet.